Meta: Në Vorë, fitorja më e thellë e së majtës. Hapim shkolla profesionale për të rinjtë

17/06/2015 00:00

Ilir Meta ishte në Marikaj, pjesë e Bashkisë së re të Vorës, në mbështetje të kandidatit të ASHE-së, Luan Sallaku. Duke shprehur bindjen për fitoren e thellë të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe të kandidatit Luan Sallaku, më 21 qershor, Meta tha se fitorja në Bashkinë e Vorës do të jetë më e thella në të gjithë Shqipërinë.

“Ne do të fitojmë në Bashkinë e re të Vorës dhe kjo do të jetë fitorja më e thellë në të gjithë Shqipërinë. Këtu, ku mundësitë për punësim kanë qenë dhe janë të jashtëzakonshme, ashtu siç i keni produktet që prodhoni, bio, edhe ne votat i duam ‘bio’ më 21 qershor”, tha kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta.

Si pjesë të zotimeve për këtë bashki, Meta përmendi edhe arsimimin.

“Ne do të hapim shkolla profesionale për sa i takon industrisë, bujqësisë dhe agroturizmit. Do ta bëjmë këtë, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të marrin formimin e duhur profesional dhe për të fituar aftësi, për të bërë një punë, e cila do t’u garantojë mirëqenien dhe begatinë e familjes”, tha më tej Meta.

Ndërkohë, kryetari i LSI-së mori pjesë edhe në Panairin e Agroturizmit, në Kalanë e Prezës. Meta shprehu mbështetjen për promovimin e këtyre produkteve dhe garantoi se në muajt dhe në vitet që vijnë, vëmendja dhe interesi i turistëve për Kalanë e Prezës, por edhe për të gjithë bashkinë e re të madhe të Vorës, do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.

Ilir Meta nuk harroi të rikujtonte edhe njëherë premtimin e tij se, brenda dy viteve, çdo banori të Prezës, Vorës dhe Bërxullit do iu krijohen disa mundësi për punë.

Top Channel