Veliaj, me të rinjtë që votojnë për herë të parë: Vlerësoni rëndësinë e votës suaj

17/06/2015 00:00

Erion Veliaj, takimin e tij me të rinjtë e kryeqytetit, që votojnë për herë të parë, e ka nisur me një krahasim të botës shtazore, për të treguar rëndësinë e bashkimit të votave të të gjithë qytetarëve.

“Ka vetëm një kafshë (insekt) që mund të mposhtë elefantin, asgjë tjetër. Janë pikërisht një milion milingona, që bëhen bashkë. Është e vetmja mënyrë, sesi mund të rrëzohet një elefant. Në kohën kur njerëzit po përmendin një bashki, që prej kaq shumë kohësh po fle gjumë, një ‘elefant’ të madh përtac që rri e fle gjumë, ka vetëm një mënyrë sesi mund të zgjohet ai. Një milion të rinj, që bëhen bashkë, në një qytet me një milion banorë”, deklaroi kandidati i së majtës, Erion Veliaj.

Duke u ndalur te zgjedhjet e 21 qershorit, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i këshilloi të rinjtë, që ta përdorim me zgjuarsi votën e tyre, pasi ditën e zgjedhjeve, të gjithë janë të barabartë.

“Dua t’iu inkurajoj që votën ta përdorni me zgjuarsi. Qyteti ynë, në njëfarë mënyre, është si një grupim aksionerësh. Bashkia e re e Tiranës ka një milion aksionerë dhe të gjithë banorët kanë aksionet e tyre. Ashtu si në një bord aksionerësh, ku secili me votën e vet vendos drejtimin që një sipërmarrje do të marrë, në datën 21 qershor, të gjithë aksionerët e Tiranës do të mblidhen për të vendosur se cilin drejtim, sipërmarrja e quajtur Bashki e Tiranës do të marrë. Bëjeni votën tuaj të vlejë në këtë mbledhje të aksionerëve të Tiranës, ku ftoheni të merrni pjesë për herë të parë. Sigurohuni që jepni peshën tuaj, vlerësimin dhe mendimin tuaj, për të thënë sesi e doni drejtimin e duhur dhe atë të ri për Tiranën”, u shpreh më tej Veliaj.

Top Channel