Banka Qendrore greke paralajmëroi këtë të mërkurë se mungesa e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe huadhënësve ndërkombëtarë dhe falimentimi i mundshëm, do ta zhyste vendin në një spirale të dhimbshme që mund të nxjerrë Greqinë edhe jashtë Bashkimit Europian.

“Dështimi në gjetjen e një ujdie do të shënonte nisjen e një rruge të dhimbshme që do të fillonte me falimentimin e daljen e vendit nga zona e monedhës së përbashkët, e me shumë gjasa edhe prej Bashkimit Europian”, thuhet në një raport të publikuar nga Banka Qendrore greke.

Banka thotë se gjetja e gjuhës së përbashkët me partnerët sa i takon huadhënies, është një detyrim historik që Athina nuk mund ta shpërfillë.

Në raport i bëhet thirrje Bashkimit Europian që të dalë me propozime konkrete mbi lehtësimin e borxhit.

“Një marrëveshje do t’i lejonte Greqisë që të përfitojë nga situata e favorshme në ekonominë globale, por do të përfitonte edhe likuiditet nga programi i Bankës Qendrore Europiane. Parësore për ne duhet të jetë krijimi sa më parë i atyre kushteve që do t’i mundësonte ekonomisë greke rikthimin në tregjet globale”, vlerëson Banka Qendrore greke.

Top Channel