Punimet në Parkun “Rinia”, Rama: Korça, lokomotivë e “Rilindjes Urbane”

17/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Korçë, paraditen e së mërkurës inspektoi punimet për rigjallërimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e jetës sociale të qytetit.

Në atë që njihet si Parku “Rinia” i qytetit, aktualisht po mbyllen punimet e ndriçimit të mureve dekorative me tulla xhami, po vendosen stolat përgjatë shëtitores dhe është drejt përfundimit baseni i liqenit, në pjesën fundore të parkut.

“Korça, një qytet ku projektet konceptohen mbi një vizion europian dhe realizohen me cilësinë e lartë të ambicies së një komuniteti model në Shqipëri”, ishte vlerësimi i kryeministrit për punët e nisura në këtë qytet.

“Besoj se nuk ka nevojë për koment. Korça është bërë realisht lokomotiva e ‘Rilindjes Urbane’. Është vendi, ku, pa as më të voglin dyshim, ka një transformim fantastik dhe këtë e tregon edhe fakti, që fundjavat janë të mbushura me vizitorë. Edhe nga pikëpamja ekonomike duken shenja të qarta të një hopi të rëndësishëm për ekonominë familjare, të mbajtur nga bizneset e qytetit”, tha kryeministri Rama.

Ky model zhvillimi i Korçës – tha më tej kryeministri, – do të ndiqet edhe në qytete të tjera.

“Nuk ka diskutim, që gjithçka ka nisur këtu do të shtrihet në të gjithë bashkinë e re, ashtu sikurse të gjitha bashkitë e reja do të vazhdojnë në rrugën e ‘Rilindjes Urbane’, për t’i dhënë më në fund qytetarëve, familjeve, të gjitha moshave kudo ku jetojnë, mundësinë që të ndihen pjesë e komunitetit, pjesë e qytetit, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të qytetit apo në fshatin më të largët”, u shpreh kryeministri Rama.

Dy kantiere të tjera, ku vijojnë punimet, janë stadiumi i tenisit dhe ndërtimi i një terreni tjetër sportiv, të cilat kryeministri i konsideroi të rëndësishme për rigjallërimin e jetës sociale të qytetit.

Top Channel