Sfida e një ish-nëpunësi, protesta e inspektorit para KLD-së

17/06/2015 00:00

Nën shoqërinë e familjarëve të tij, ish-inspektori i KLD-së, Kudret Kopo ka nisur protestën e tij përmes së cilës kërkon të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që urdhëron rikthimin në detyrën që ka mbajtur deri në vitin 2008.

Përballë heshtjes së institucioneve, Kopo kërkon të dëgjohet nga Presidenti, por edhe nga ndërkombëtarët, pasi sipas tij, po i shkelen të drejtat.

“Unë do të ngujohem para KLD-së, derisa vendimi të zbatohet. Nuk do të lëviz, edhe vdekjen e pranoj. Pastaj do t’u drejtohem instancave ndërkombëtare, Strasburgut e me radhë”, tha Kopo.

Kopo riftoi të drejtën për t’u kthyer në detyrë në 2013-n nga Gjykata Kushtetuese, e cila la në fuqi një vendim të Gjykatës së Apelit, që në fakt ende nuk është ekzekutuar.

Një protestë e tillë për t’u rikthyer në punë pasi gjykata është shprehur, është e para që kryhet, ndërkohë që KLD reagoi një ditë më parë kur Kopo paralajmëroi protestën. KLD shpjegoi për mediat se i ka paguar ish-inspektorit një shumë prej gati 5 milionë lekë për kohën kur ai nuk ka qenë në detyrë.

Më shumë se një këmbëngulje për t’u rikthyer në punë, veprimet e Kapos tashmë duken një sfidë për zbatimin e një vendimi gjykate.

Top Channel