Maqedoni, Besa: Zyrtarët e BDI-së, jo më përfaqësues legjitim të shqiptarëve

17/06/2015 00:00

Pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të së martës, e që kishin të bëjnë kryesisht me drejtuesit e BDI-së, ka reaguar edhe Lëvizja opozitare Besa. Sipas kësaj lëvizjeje, “bomba” e fundit e opozitës maqedonase ka shpalosur se, zyrtarët e BDI-së janë të korruptuar, të zhvatur e të dështuar.

“Lëvizja Besa konstaton edhe njëherë se, që nga kryetari i asaj partie, e deri tek ata që ‘vrasin me kallash’ e që ‘shajnë nënat shqiptare’ nga Çairi, zyrtarët e BDI-së janë të inkriminuar, të korruptuar, të zhvatur e të dështuar, saqë pa drojë ia pranojnë vetes faktin, që janë bërë ‘më shka se shkijet’ ”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Besa.

Lëvizja Besa vlerëson se, prej ditës së martë, kur u publikuan bisedat diskriminuese për drejtuesit e BDI-së, ata mund të jenë biznesmenë të suksesshëm, megjithëse të pandershëm, mund të jenë lobues për kauzën serbe, mund të jenë edhe ‘më shka se shkijet’, por në asnjë mënyrë nuk mund të jenë më përfaqësues të shqiptarëve.

“Me të tilla dosje në duart e Mijalkovit dhe tashmë në duart e Zaevit, ata nuk mund të jenë kurrfarë përfaqësuesish të shqiptarëve në cilatdo bisedime, qoftë edhe ato në Bruksel”, thonë përfaqësues nga Lëvizja Besa.

Lëvizja Besa i bën të ditur komisionerit Hahn, por edhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, se politikanët e këtij kalibri, në asnjë rast nuk mund të merren më si përfaqësues të shqiptarëve. Çdo vendim që merret me pëlqimin e tyre është i papranueshëm për shqiptarët e Maqedonisë, sepse ai është arritur në bazë të këtyre materialeve, me të cilat, ata herë i zhvat Gruevski, e herë Zaevi.

Top Channel