Lubjanë, ndalohet Ramush Haradinaj. Urdhër-arrest nga policia serbe

17/06/2015 00:00

Policia e Sllovenisë ka ndaluar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas një fletë-arresti të Interpolit të lëshuar nga Policia e Serbisë, në vitin 2006. Haradinaj po mbahet i ndaluar në aeroportin e Lubjanës, nga ku ishte duke udhëtuar tranzit për në Kosovë nga Gjermania. 

Haradinaj ka njoftuar pasdite përmes Zyrës për Informim të partisë së tij se i është kërkuar që të dalë para një gjykate sllovene lidhur me fletë-arrestimin, por ai ka thënë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
 
Sipas komunikatës, Haradinaj ka deklaruar se nuk ka asgjë me sistemin e drejtësisë sllovene e as ndërkombëtare. Ai ka kërkuar që shteti slloven të pastrojë sa më parë sistemin e tij, pasi reagimet e tilla me fletë-arreste nga Beogradi janë të papranueshme dhe ofenduese për të dhe për Kosovën.

Ndërkohë që Haradinaj po mbahet i ndaluar në Lubjanë nga policia sllovene, zyrtarë të lartë të AAK-së janë mbledhur para ambasadës sllovene në Prishtinë dhe po qëndrojnë aty derisa të lirohet Haradinaj. Në hyrje të ambasadës sllovene zyrtarët e AAK-së kanë vendosur edhe mbishkrime që kundërshtojnë veprimin e shtetit slloven.
 
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka takuar ambasadorin slloven në Prishtinë, tha se nuk do të largohen nga ambasada derisa të lirohet lideri i tyre.
 
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar për ndalimin e liderit të AAK-së nga autoritetet sllovene. Në një deklaratë për media të lëshuar nga MPJ e Kosovës, thuhet se “Ambasada e Kosovës në Slloveni është informuar për ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet sllovene dhe ka vendosur kontaktet me autoritetet përgjegjëse, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Brendshme të Sllovenisë, për të sqaruar rrethanat e ndalimit të Haradinajt”.
 
Sipas Ministrisë së Jashtme, çështja është duke u sqaruar dhe pritet të mbyllet shumë shpejt.

Në një deklaratë të veçantë, Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu shqetësim për  ndalimin nga autoritetet sllovene të ish-kryeministrit të Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se nuk ka asnjë arsye që z. Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla dhe apelon te autoritetet sllovene që sa më parë të mundësojnë që z. Haradinaj të kthehet në Kosovë”, thuhet ne deklaratë.

Lëvizja vetevendosje ka reaguar: “Ne e konsiderojmë të papranueshme që qytetarët e Republikës së Kosovës të ndalohen në bazë të akuzave të ngritura nga Serbia, për luftën tonë çlirimtare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që Qeveria e Kosovës, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme, të angazhohen urgjentisht që rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Po ashtu, ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Z. Haradinaj”.

Top Channel