Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, akuzoi udhëheqësin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev, se në mënyrë tendencioze ka keqinterpretuar bisedën e përgjuar midis kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe drejtuesit të degës partiake në Çair, Bekir Asani, për çmimin e një objekti, që do t’i shitej një biznesmeni të interesuar.

Sipas Mexhitit, një ditë më parë, Zaev shtrembëroi për qëllime politike të vërtetën dhe u përpoq, që ta prezantojë si krim shitjen e pronës partiake nga udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Dokumentet, që po ju prezantoj sot, dëshmojnë se objekti është pronë e BDI-së, e që për fat të keq asnjëherë nuk u vu në shërbim nga organet partiake, ndaj dhe kemi vendosur ta shesim, në mënyrë që me mjetet e përfituara të sigurojmë zyra të vogla për degët e BDI-së. ‘Afaristi’ në përgjimet e paligjshme si blerës potencial është Fatmir Molladauti”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Numri dy i partisë shqiptare, që bën pjesë në qeverinë e Maqedonisë, tha se BDI-ja mbështet publikimin e të gjitha materialeve të përgjuara, por është kundër keqinterpretimit të tyre.

“Sot po argumentojmë se, krimet e pretenduara dhe akuzat e djeshme ekzistojnë vetëm në paralajmërimet e përgjimeve dhe aspak në bisedat e përgjuara. BDI i mbetet qëndrimit, që të publikohen të gjitha materialet eventuale për keqpërdorimet e supozuara të pushtetit, por kërkojmë që të mos bëhen interpretime qëllimisht të gabuara për të çorinetuar opinionin”, tha më tej Izet Mexhiti.

Mexhiti nuk mohoi autenticitetin e bisedave të përgjuara të zyrtarëve të BDI-së, që u publikuan një ditë më parë nga opozita maqedonase. Ai tha se, publikimi i bisedave private nuk e ndihmon demokracinë në Maqedoni dhe nuk është në interes të qytetarëve.

Top Channel