Antiterrorizmi, KE: Të gatshëm të mbështesim financiarisht Ballkanin

17/06/2015 00:00

Koordinatori i BE-së kundër Terrorizmit, Gilles de Kerchove, pritet të vizitojë Tiranën gjatë tetorit. Në një intervistë për Top Channel, ai shpjegon se Komisioni mbetet i gatshëm të kontribuojë financiarisht në disa fusha, për parandalimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj në Ballkan, përfshirë Shqipërinë.

Por, ashtu si dhe gjatë seancës së posaçme të Komitetit të Jashtëm europarlamentar, 58-vjeçari belg shmangu krahasimet ndërmjet vendeve të rajonit, për shkak të mungesës së informacionit.

Gilles de Kerchove, Koordinatori kundër Terrorizmit në BE: Unë nuk jam ekspert mbi Shqipërinë, të cilën kam planifikuar ta vizitoj në muajt që vijnë. Këtë do të ishte me interes ta diskutonim më vonë, por Ballkani Perëndimor është një rajon, ku ne jemi të gatshëm të investojmë më shumë burime e të punojmë më nga afër, sepse vendet atje përballen gjithashtu me çështjen e “luftëtarëve të huaj”. Nuk e mbaj mend sesa shqiptarë kanë shkuar në Siri e Irak, por di që ka shumë të tillë. E di që Shqipëria miratoi së fundmi një legjislacion, për ta quajtur krim largimin nga vendi, sidomos për në Siri e Irak, ku shkohet për xhihad. Atyre, me shumë gjasë, u nevojitet më shumë ndihmë në aspektin e parandalimit, të pritjeve nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mbi mënyrën sesi i mbledhin e i shpërndajnë të dhënat dhe sesi i analizojnë ato, si dhe për mënyrën sesi trajtohet në kthim një luftëtar terrorist. Për të gjitha këto çështje, ne kemi nisur një dialog me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe organizuam Konferencën e Sllovenisë me grupin e punës. Komisioni mbetet i angazhuar për të dhënë mbështetje financiare në përmirësimin e gjërave që sapo përmenda, përfshirë edhe ndaj Shqipërisë.

TCH: Po në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, a janë shqiptarët më problematikët?

Gilles de Kerchove: Siç ju thashë, është ende herët për mua, që të deklaroj me zë çfarëdolloj gjykimi mbi Shqipërinë, por e di se ka interes. A është më mirë, apo më keq? Nuk mund t’i hyj kësaj aventure.

TCH: Do ta vizitoni Shqipërinë para, apo pas pushimeve verore?

Gilles de Kerchove: Do ta vizitoj pas pushimeve verore, në tetor. Atëherë do të jem mëse i lumtur t’u përgjigjem më saktësisht pyetjeve tuaja.

Gjatë seancës dëgjimore, në Komitetin e Jashtëm u fol për mbi 600 terroristë shqiptarë nga rajoni, por ish-drejtori për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë në Këshillin e BE-së, këtë shifër ia faturoi Ballkanit në përgjithësi, ndërsa tregoi se ishte mahnitur nga shkëmbimi i të dhënave mes Bosnjes, Kosovës dhe Serbisë, vende këto të vizituara prej tij.

Gilles de Kerchove raportoi dhe ndaj ministrave të Brendshëm të BE-së, në Luksemburg, për zbatimin e masave të përcaktuara sipas deklaratës kundër terrorizmit, të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në shkurt të këtij viti.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel