Zgjedhjet e 21 Qershorit, KE dërgon në Shqipëri 24 vëzhgues

16/06/2015 00:00

24 vëzhgues të Këshillit të Europës do të mbërrijnë në Shqipëri për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Misioni drejtohet nga zv.Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në KE, Stewart Dickson.

Delegacioni thekson se kjo është hera e parë që votohet për strukturë të re territoriale. Misioni do të qëndrojë në Shqipëri nga 18-22 qershor.

Sipas njoftimit zyrtar, delegacioni ka përfaqësues nga 15 vende, pesë prej të cilave nga Bashkimi Europian. Në përbërje të tij do të jetë edhe ekspertja e çështjeve elektorale, Christina Binder. Misioni pritet të takohet me kreun e KQZ-së, Lefterije Luzi dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Gjithashtu, janë parashikuar takime edhe me përfaqësuesit e partive dhe koalicioneve që marrin pjesë në këto zgjedhje, si dhe me kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës.

“Ditën e zgjedhjeve, delegacioni i Kongresit do të ketë 11 skuadra për të vëzhguar votimin në qytetet kryesore, si Tirana, Kukësi, Fieri dhe Shkodra”, thuhet në njoftim.

Më pas, misioni do të publikojë përfundimet paraprake në një konferencë të përbashkët për shtyp me misionin e OSBE/ODIHR, më 22 qershor në Tiranë.

Top Channel