Protesta masive e UÇK: Jo Gjykatës Speciale; mbështetet nga pozita e opozita

17/06/2015 00:00

Qindra qytetarë, përkundër motit me shi, i janë përgjigjur thirrjes për protestë të organizatave të dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe dënimit të grupit të Drenicës.

Organizatorët u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale pasi sipas tyre, ajo gjykatë cënon sovranitetin e Kosovës dhe dënon luftën çlirimtare dhe të drejtë të UÇK-së. Gjithashtu, krijimin e një gjykate të tillë ata e cilësuan si vazhdimësi të UNMIK-ut dhe EULEX-it.

“Gjykata e ri nuk ka asnjë shkallë besimi, pas dështimeve të vazhdueshme që nga paslufta. Gjykata Speciale për të cilën po thërrasin të gjithë, mund të duket si e drejtë ndërkombëtare, por shkel Kushtetutën e Kosovës, shkel amanetin e dëshmorëve, shkel gjaklun që kemi derdhur. Është koha që shteti i Kosovës, Kuvendi dhe qeveria të dëshmojnë që janë përfaqësues të popullit dhe jo të emëruar të zyrave të huaja”, deklaroi Smaj Elezi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës.

“Gjykime për grupin e Drenicës, gjykime për grupin e Dukagjinit, gjykime për grupin e Llapit, gjykime për grupin e Pashtrikut, gjykime për grupin e Karadakut, gjykime për grupin e Kaçanikut. Kush mbeti pa u dënuar? Mbetën vetëm ata që nuk kanë qenë në luftë dhe ata që ishin kundër luftës çlirimtare”, tha Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.

Protesta është përkrahur nga lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, të cilat një ditë më parë, përmes komunikatave për shtyp, kanë kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Në protestë dolën edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e partive opozitare, por edhe ata të pozitës të cilët janë deklaruar kundër themelimit të kësaj gjykate.

“Vazhdoj të qëndroj prapa deklaratave të mia, të cilat i kam dhënë në vazhdimësi, se UÇK nuk ka bërë krime dhe UÇK është ushtri e popullit, e cila lindi nga populli, luftoi për popullin dhe mendoj që populli është ai që duhet ta mbrojë nga degradimi dhe nga dashakeqësit që i janë vërsulur në këtë masë”, deklaroi Ganimete Musliu, deputete e PDK-së.

“Ne presim që të mos votohet kur amendamentet të vijnë në Parlamentin e Kosovës, por njëkohësisht bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht animeve partiake, që të jenë të vetëdijshëm që të mos votojnë pro kësaj gjykate speciale”, tha Valdete Bajrami, deputete e Nisma për Kosovën.

Veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, të akuzuarve dhe qytetarë pjesëmarrës në protestë, mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Stop Padrejtësive”, “Komandant jemi me ty”, “Populli do të dijë se kë vrau Sami Lushtaku”, “Darius kujdes”, e të tjera. Në përkrahje të protestës dolën edhe organizata studentore.

Top Channel