Ndalimi i Haradinajt, Prishtina: Të habitur nga Sllovenia. Çështja drejt sqarimit

17/06/2015 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar për ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga autoritetet sllovene.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga MPJ thuhet se, Ambasada e Kosovës në Lubjanë është informuar për ndalimin e Haradinajt dhe ka është vënë në kontakt me autoritetet përgjegjëse, konkretisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Brendshme të Sllovenisë, për të sqaruar rrethanat e ndalimit.

Sipas Ministrisë së Jashtme, çështja është duke u sqaruar dhe pritet të mbyllet shumë shpejt.

Edhe Alban Dërmaku, këshilltar i Haradinajt, që po e shoqëronte gjatë udhëtimit, tha përmes telefonit për Top Channel se aktualisht Haradinaj po bisedon me policinë sllovene dhe pritet që shumë shpejt gjërat të sqarohen, që Haradinaj të mund të vazhdojë kthimin në Prishtinë.

Dërmaku tha se janë të habitur se si autoritetet sllovene nuk e kanë pastruar databazën e tyre, kur një gjë e tillë nuk figuron në asnjë shtet tjetër.

Haradinaj u ndalua nga policia e Sllovenisë në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga Interpoli në vitin 2006, me kërkesë të policisë së Serbisë.

Top Channel