Tonelata kokainë nga Kolumbia në Spanjë e Itali, shkatërrohet rrjeti

17/06/2015 00:00

Agjentë të antikrimit të organizuar në Itali, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, kanë goditur një rrjet të fuqishëm të trafikut të kokainës nga Kolumbia, duke arrestuar 34 persona, në Itali dhe Spanjë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, të arrestuarit rezultojnë anëtarë të organizatës kalabreze Ndrangheta. Për goditjen e grupit të tyre kanë bashkëpunuar edhe policia spanjolle Guardia Civil dhe DEA amerikane.

Gjatë operacionit, të koduar me emrin “Santa Fe” e që ka zgjatur për rreth një vit, janë sekuestruar 4 tonelata kokainë. Droga udhëtonte nga Kolumbia me varka me vela të cilat ankoroheshin në Spanjë.

Natën mes 25 dhe 26 gushtit 2014, njësitë detare spanjolle, të mbështetura nga forcat ajrore portugeze, bastisën një varkë me 856 kilogramë kokainë në bord. Ndërsa më herët, një anije me vela, me 725 kg drogë kishte arritur të ankorohej në portin e ishujve Kanarie, në fillim të vitit.

Gjatë hetimeve, të shtrira edhe në Brazil, Argjentinë dhe Republikën Domenikane, është identifikuar dhe furnizuesi i kokainës, një trafikant i njësisë paraushtarake të FARK.

Personi në fjalë, emri i të cilit nuk është publikuar, ndodhet në vëmendjen e autoriteteve kolumbiane dhe amerikane, të cilat kanë angazhuar edhe njësitë elitë Navy Seal.

Kjo, për shkak se kapja e tij vështirësohet pasi vepron në xhunglën e Amazonës, ku ka në dispozicion baza operative, rafineri dhe një aparat të mirëfilltë për sigurinë e tij.

Top Channel