Tensionet po rriten në Eurozonë, ku dita e mërkurë shërbeu si një përplasje e fortë mes presidentit të Komisionit të BE, Jean Claude Juncker dhe kryeministrit grek Alexis Tsipras.

Për këtë arsye, Unioni vendosi që të dërgojë si të deleguar në Athinë ditën e enjte kancelarin austriak Werner Faymann, në një përpjekje të minutës së fundit për të rregulluar marrëdhëniet me Greqinë.

Më herët, Jean Claude Juncker akuzoi drejtepërdrejtë Tsipras dhe qeverinë e tij se ka çorientuar votuesit duke mos u treguar të vërtetën e propozimeve të dorëzanisë.

“Fajësoj qeveritarët grekë për gjërat e thëna qytetarëve, të cilat nuk përputhen me atë çfarë i kam thënë unë kryeministrit”, deklaroi Juncker.

Kjo deklaratë u prit me reagime të shumta në Athinë. Tspiras, në një koferencë u shpreh se është i gatshëm të pranojë çdo kosto politike të një zgjidhjeje, por në qoftë se nuk ka një të tillë, ai do të vazhdojë të kundërshtojë pretendimet “katastrofike” të kreditorëve.

Por i deleguari Faymann, që supozohet të ketë një rol ndërmjetësues, u shpreh: “Unë mbështes presidentin e Komisionit Evropian dhe gjithashtu i kërkoj Greqisë që të qendrojë në kornizat e paracaktuara të marrëveshjes. Ne kemi nevojë për një plan afatgjatë, në mënyrë që kushdo që dëshiron të investojë në Greqi të jetë i sigurt se është duke investuar në një vend që nuk do të dalë nga Eurozona”, tha Faymann.

Por, duket se borxhi grek nuk rëndon vetëm mbi Bashkimin Europian dhe Greqinë, pasi reagime vijnë edhe përtej Atlantikut. Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew e ka telefonuar kryeministrin Tsipras duke e paralajmëruar se kjo është një çështje që sjell pasiguri edhe në ekonominë globale dhe se një dështim i mundshëm, sipas Lew do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për grekët, por për të gjithë botën.

Gjithashtu, edhe mediat ndërkombëtare e komentojnë gjerësisht arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Athinës dhe kreditorëve ndërkombëtarë për 1.6 miliard eurot që vendi i detyrohet FMN-së, duke e cilësuar si një loje të fuqishme nervash. Edhe mediat greke përcjellin frikën e krizës me tituj si “Spiralja e vdekjes”.

Ndërkaq pritet që ministrat e Financave të Eurogrupit të takohen në vazhdim në Luksemburg, por në qoftë se nuk ka asnjë marrëveshje shpëtimi, atëherë Greqia mund të dale përfundimisht nga Eurozona.

Top Channel