Laerta, ylli 4-vjeçar i Instagramit

17/06/2015 00:00

Është vetëm 4 vjeç, por ka plot 78 mijë ndjekës në instragram. Ajo është Laerta Dedukaj. Një vogëlushe shqiptare, e cila prej më shumë se një viti jeton në Londër.

Dhe, pavarësisht moshës së saj të vogël, ajo ka arritur të thyejë kufijtë, duke u bërë e famshme në mbarë botën, veçanërisht në atë virtuale. Faqja e saj në Instagram është “Fashion Laerta” dhe, në qindra postime të saj, vogëlushja shpalos pozime dhe veshje të admirueshme. Një “fashioniste” në miniaturë.

Ajo është shumë e vogël për të kërkuar të drejtën e hapjes dhe menaxhimit të një faqeje në rrjetet sociale, megjithatë, pasioni i saj për fotografinë i dha prindërve të saj një sinjal, se vogëlushja mund të ishte një talent në botën e fotomodelimit.

Kështu, një vit më parë, prindërit e saj vendosën t’i hapin një faqe, si fillim nga dëshira për të ndarë foto të bukura të vajzës së tyre. Por, me kalimin e muajve, e vogla pati një bum pëlqimesh dhe ndjekësish në faqen e saj.

Në këtë moment, Laerta është përfaqësuese e markave shumë të njohura dyqanesh për fëmijë. Asaj i janë lidhur 5 kontrata në Amerikë dhe dy në Britaninë e Madhe. Ajo ka mbushur faqet e shumë revistave, për të cilat ka pozuar, ndërsa prestigjiozia “Bazaar” e ka cilësuar Laertën, si një nga 10 fëmijët më “fashion” në botë.

Top Channel