Basha në Shkodër dhe Lezhë: Kandidatët e oligarkisë do të munden me votë plebishitare

17/06/2015 00:00

Nga Lezha në Shkodër, Lulzim Basha ka bërë lajtmotiv të fundit të fushatës elektorale përparësitë që, sipas tij, kanë kandidatët e opozitës ndaj atyre të qeverisë.

Në Lezhë, Basha akuzoi Ramën se ka braktisur edhe socialistët.

“Ilir Meta t’i vuri në rresht socialistët e Lezhëz, t’i vuri në kuadrate si në mort, nuk i la të tregonin se si Ilir Meta me Tushën kanë zaptuat çdo degë pushteti. Ata përbuzin, shkelin dinjitetin e demokratëve dhe socialistëve. Viktorit i shkove në zyrë që mos ta arrestonte policia para 4 muajsh sepse zaptoi tokat e lezhjanëve dhe i shiti për toka publike.

Lulzim Basha akuzoi qeverinë për shpërdorime të fondeve në fushat.

“100 mijë euro kushtoi vetëm ajo natë. Nga xhepat e kujt dolën? Nga taksat e rritura, nga faturat e fryra, që vidhen nga oligarkia”, tha Basha.

Kreu i opozitës, e cilësoi 21 Qershorin si ditën e drejtësisë për një popull të mashtruar nga qeveria e tij dhe këtë mesazh e përforcoi në Shkodër, një bastion historik i demokratëve. “Ndryshimi fillon nga Shkodra”, u shpreh kreu i opozitës.

Edhe për kandidaten e qeverisë në Shkodër, Lulzim Basha përdori një fjalor të ashpër politik.

“Është një mashë e verbër e oligarkisë Rama-Meta dhe Shkodra e refuzon me votë plebishitare. Atë që Shkodra refuzon me votë, nuk e blen dot Ilir Meta me lekë; nuk e kërcënon dot Edi Rama me xhandarë dhe kriminelë”, tha Basha.

Lulzim Basha i kërkoi Edi Ramës të publikojë emrat e vërtetë të kandidatëve të vet, siç ka bërë media investigative.

“Na thuaj më mirë emrat e kandidatëve të tu. Na thuaj si e quajnë Ervin apo Elvis trafikantin e Kavajës? Si e quajnë Artur trafikantin në Itali e Zvicër? Si e quajnë trafikantin e Devollit, Tepelenës e Këlcyrës?”

Top Channel