Ilir Meta: Në vitin 2017, barazi gjinore në Kuvend

17/06/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi gjatë një takimi me Lëvizjen e Gruas për Integrim (LGI), se në vitin 2017, mazhoranca qeverisëse ka për qëllim që numri i femrave në Kuvend të jetë i barabartë me atë të meshkujve.

“Mazhoranca jonë i ka besuar grave dhe vajzave. Në këshillat bashkiakë do të kemi barazi të plotë gjinore, ndërsa pas zgjedhjeve, kemi objektiv që të kemi barazi gjinore edhe në Kuvend. Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që fuqizon në mënyrën më të drejtë gratë dhe vajzat. Kjo është rruga e ndryshimit të politikës shqiptare”, tha Meta të mërkurën.

Më tej, kreu i LSI-së foli edhe për reformën administrativo-territoriale, e cila, sipas tij, do e bëjë Shqipërinë t’i afrohet standardeve europiane përsa i përket shërbimeve ndaj qytetarit.

“U kërkoj shqiptarëve të mos mungojnë në zgjedhje sepse këto janë zgjedhje historike. Ndajnë Shqipërinë nga një keqorganizim territorial që ishte pengesë për shërbimet ndaj qytetarëve tanë. Reforma e re do të ecë më shpejt drejt standardeve europiane. Qeveria do të ketë 61 partnerë që do të ofrojnë më shumë shërbim e punësim dhe jo më shumë konflikte e debate shterpë”, tha Meta.

Top Channel