Rama në Elbasan: 21 Qershori referendum për Sejdinin

17/06/2015 00:00

Sheshi i stadiumit “Elbasan Arena”, dukej sikur po priste me po aq entuziazëm, ndeshjen e radhës të Kombëtares shqiptare, por kësaj here ishte koalicioni i majtë që organizonte mitingun përmbyllës të kandidatit Qazim Sejdini, nga ku kryeministri Rama paralajmëroi dimensionin e një tjetër fitoreje.

“Jam i bindur, po ashtu si edhe Qazimi, sepse ‘Lala’ nuk gabon kurrë në llogari, që në Elbasan do të jetë fitorja më e thellë e kandidatit, apo e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Në Elbasan për ne nuk bëhet garë, por një referendum në mbështetje të Qazim Sejdinit dhe të Aleancës për Shqipërinë Europiane”, tha Rama.

Askush tha kryeministri mos të krijojë idenë se ne jemi të qetë për çfarë nuk është bërë deri më tani.

“Kjo fushatë dhe 21 Qershori nuk janë arsye për t’i thënë vetes që tani është ora që ne të flemë të qetë, përkundrazi. Të jeni të bindur se nëse rezultati do të jetë ashtu si unë e parashoh, ne do të jemi edhe më të shqetësuar dhe do ta ndjejmë edhe më shumë peshën e përgjegjësisë që kemi përballë këtij besimi të madh. Ne do të përpiqemi shumë më tepër për t’ja dalë së bashku sepse ajo që shqiptarët meritojnë është shumë larg së qënit nga ajo që Shqipëria ka. Megjithëse në 18 muaj kemi bërë shumë gjëra, shumë ta tjera janë ende për t’u bërë”, tha Kryeministri nga Elbasani.

Ndërsa paraditen e së enjtes zoti Rama e vijoj turin elektoral në Dajt, duke e vënë theksin në mbështjetje të agrobiznesit dhe turizmit lokal.

“Unë besoj shumë që nuk është vetëm parku, rruga do të sjellë shumë bereqet për gjithë bizneset e vogla në zonë dhe të jeni të bindur që rruga do të jetë një shtysë e mirë edhe për programin që ne duam të bëjmë bashkë me Erionin dhe Xhemalin, për të nxitur agrobiznesin, në këtë zonë ku ka vërtet potenciale, nëse e marrim të tërën si një zonë të zgjeruar. Për të nxitur, po ashtu, edhe transformimin e shtëpive që janë të mundura të transformohen në bujtina ku njerëzit mund të presin edhe turistë. Kjo që po them nuk është fantazi, por është diçka që mund të ndodhë dhe do të ndodhë shumë më shpejt sesa e imagjinojmë ne. Sigurisht që ju e dini që probleme të tjera, siç është problemi i ujit të pijshëm në disa pjesë, siç është problemi i kanaleve vaditëse, janë probleme që janë në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, ne do ta bëjmë shkollën e mesme. Do ta bëjmë model. Është e domosdoshme që shkolla e mesme t’i përgjigjet të gjithë asaj rritjeje që ka pasur popullsia”, tha Rama.

***

Më herët gjatë së merkures, kryeministri ishte në Librazhd, ku tha se dallimi me PD-n është se koalicioni i majtë ndërmori reforma të thella për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa opozita po dëshmon se po bën avokaten e rrënimit të vendit. Më Kastriot Gurrën kryebashkian dhe me Taulant Ballën, deputetin model ndaj komunitetit të tij, tha Rama pas 21 Qershorit do të bëjmë për Librazhdin çfarë nuk është bërë për 25 vjet.

Më tej, ai ka vijuar duke u premtuar të pranishëmve se Bashkia e re dhe e madhe e Librazhdit do të jetë më pranë tyre se kurrë.

“Në këto zgjedhje fshati ka më shumë arsye se asnjëherë për të votuar, sepse fshatarët do të kenë më në fund derën ku do të trokasin për zgjidhjen e problemeve që bartin ndër vite, për furnizimin me ujë, për kanalizimin e ujërave të zeza dhe për të mos pasur më përmbytje”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë ka hedhur edhe një sërë kritikash në drejtim të partisë më të madhe të opozitës, e cila sipas tij nuk është në gjendje të gjejë vetveten.

“Dallimi ynë nga PD është se ne ndërmorëm reformat më të thella për zhvillimin e vendit. Ndërsa PD, dy vjet nga humbja, nuk ka marrë dot veten dhe shkon në drejtim të paditur, duke bërë avokaten e rrënimit që i bëri vendit”, ka thënë Rama.

Top Channel