Shtimi fiktiv i votuesve, KQZ nuk i çregjistron: Po heton drejtësia

17/06/2015 00:00

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj ka raportuar këtë të mërkurë në KQZ për çështjen e denoncimit të Partisë Demokratike, për shtim fiktiv të votuesve në Durrës dhe Kavajë.

Për këto denoncime prokuroritë e këtyre rretheve kanë hapur tashmë hetimet, duke sekuestruar të dhënat e shtetasve që sipas dyshimeve janë lëvizur për efekt elektoral.

Demokratët i kërkuan KQZ-së të bëjë çregjistrimin e tyre nga lista e zgjedhësve. “Vijmë sot, pak ditë para zgjedhjeve, dhe me plotë gojën mund të përdorim fjalët ‘krim elektoral’ në Durrës e Kavajë. Kërkojmë nga KQZ-ja që të marrë përgjegjësitë që i ngarkon ligji dhe të shmangë pasojat e një krimi elektoral”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso.

“Kur heton drejtësia, të tjerët heshtin. Këtë çështje e ka prokuroria në dorë dhe nuk mund të ndërhyjnë as KQZ e as Gjendja Civile. Është një hetim penal në zhvillim e sipër”, u përgjigj kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi.

Nga hetimi paraprak rezulton se bëhet fjalë për 2.800 persona në Durrës dhe rreth 600 të tjerë në Kavajë, që janë shtuar në mënyrë fiktive si votues të këtyre bashkive.

Këto të dhëna u konstatuan nga vetë audituesit e KQZ-së në listën përfundimtare të zgjedhësve, duke përbërë, sipas PS, një standard të ri në këtë drejtim.

Top Channel