Basha në Mirditë: Qeveria vështirësoi jetën e qytetarëve

17/06/2015 00:00

Në Mirditë, kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi qeverinë se, në vend të përmbushjes së premtimeve për ta bërë më të mirë jetën e shqiptarëve, në këto dy vjet shumica e tyre jo vetëm jetojnë më keq, por edhe keqtrajtohen nga qeveria që zgjodhën.

“Qeveria për dy vite me radhë nuk punoi asnjë ditë për t’jua bërë jetën më të lehtë juve, por jua bëri më të vështirë sepse shtoi e rriti barrën e taksave. Jua bëri më të vështirë, sepse po i bën mirditorët të paguajnë dyfish çmimin e energjisë dhe dy herë më lart se rajoni. Jua bën më të vështirë sepse çdo ditë, me kërbaç dhe me bllok gjobash në dorë, nuk mendon punësimin e qytetarëve, por burgosjen e tyre”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të opozitës, këto javë të ngritjes së zërit qytetar në çdo cep të vendit e kanë detyruar Edi Ramën të pranojë Shqipërinë reale të opozitës dhe të qytetarëve, e ndryshme nga Shqipëria virtuale e spoteve elektorale të kryeministrit.

“I ballafaquar me bashkimin më të madh popullor në sheshet e qyteteve tona, nga veriu në jug, Rama është detyruar ta pranojë se varfëria është rritur, se papunësia është shtuar, se çmimet dhe taksat janë rritur, se shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak dhe jetojnë më keq. Është detyruar se s’ka nga t’ia mbajë. E ka kuptuar se s’i ecën më as me shantazhe, as me sondazhe, as me kërcënime, as me presione. Por nuk ofroi asnjë shpjegim se pse kur kishin dhe kanë gjithë pushtetin, nuk bëjnë diçka për t’ju ndihmuar”, theksoi zoti Basha.

Kryetari i PD shprehu bindjen se më 21 qershor shqiptarët do t’i japin kryeministrit Rama dhe aleatit të tij Ilir Meta një leksion demokracie.

“Harxhon gjithë kohën duke shpifur e duke thënë, opozita nuk i ul dot taksat, opozita nuk e ul dot çmimin e energjisë. E vërteta është se opozita parlamentare i çoi këto amendamente në Parlament dhe ky që i digjet barku për popullin i hodhi poshtë. Ne nuk i kishim kartonat, ti i ngrite kartonat kundër popullit, por kur populli në 21 qershor të ngrejë kartonat për veten e tij, harroje se mund ta frenosh, bllokosh apo shpërfillësh vullnetin e tij sovran. Vota e popullit në 21 qershor do të të detyrojë të ulësh çmimin e energjisë dhe të falësh kamatë-vonesat”, shtoi Basha.

Duke kërkuar bashkimin rreth opozitës, ai ftoi shqiptarët të marrin pjesë masivisht në votimet e së dielës.

Top Channel