Sllovenia liron Haradinajn, por nuk mund të lëvizë nga Lubjana. Lideri i AAK flet për TCH

17/06/2015 00:00

Një gjykatë sllovene është duke e shqyrtuar urdhër-arrestin e Serbisë kundër liderit të AAK-së Ramush Haradinaj të lëshuar në vitin 2004.

Haradinaj nuk po mbahet nga autoritetet sllovene, ai në orët e pasdites të së mërkurës ka shkuar në një hotel në Lubjanë, por nuk ka të drejtë të largohet nga Sllovenia deri në një vendim të gjykatës. Përmes telefonit Haradinaj shpjegoi për Top Channel detajet e ndalimit në aeroport.

“Gjatë transitit në kontroll të dokumenteve, ata u vonuan ta ma kthejnë pasaportën. Unë i pyeta se çfarë po ndodh dhe më thanë se kemi një problem në sistem, kemi një urdhër arrest të Serbisë të Cernagorës të vitit 2004. Më thanë se nuk kishin të drejtë të më jepnin dokumentin pa e sqaruar këtë punë në instanca të tjera, një gjykatë. Tashmë gjykata e ka shqyrtuar këtë temë dhe më duhet të pres përgjigjen e gjykatës”, tha Haradinaj.

Haradinaj e quan absurd rikthimin në sipërfaqe të flet-arrestit kundër tij pasi akuzat janë për krime lufte për çfarë ai ishte liruar si i  pafajshëm nga Tribunali i Hagës. E kritikoi shtetin slloven për qasje jo të drejtë dhe për nostalgji për ish Jugosllavinë. Këtë tha se ua ka thënë edhe autoriteteve sllovene për të shtuar se në bazë të emrit polici, i cili ia komunikoi urdhër-arrestin ishte i nacionalitetit serb.

“Është absurde, sepse me atë flet-arrest kanë qenë të njoftuar të gjitha organizatat e interpolit nëpër botë, kam udhëtuar në Amerikë, Irlandë, dhe në vende të tjera europiane, të gjithë e kanë heqë nga sistemi, vetëm sllovenia e ka mbajt. Ky është një absurd i llojit të vet edhe kjo më bën të dyshoj që diçka nuk është në rregull me këtë shtet dhe me këta njerëz, qasja jonë që ne i bëjmë një respekt maksimal ndaj Sllovenisë nuk është e ndërsjellë nga ana e tyre. Emri ishte jo slloven emër kryesisht serb.  Ne e kemi fituar shtetin tonë me luftë, Sllovenia pak më lehtë dhe kanë nostalgji për Jugosllavinë, ketë e ndjeva unë sot dhe ua thashë”, tha lideri i AAK-së.

Haradinaj nuk ka informata se sa do të zgjasin procedurat gjyqësore kundër tij ndërkohë shtoi se kjo situatë vë në pikëpyetje marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Kuptohet që nuk kam asnjë konsideratë për sjellje të tilla të këtyre njerëzve, kurdo që duan këta e kthejnë, por qëndrimi im është ky: nuk kam asnjë konsideratë për sjelljet e tyre dhe kjo do të ketë pasoja për të gjitha ato zhvillime që duhet të ndodhin mes Kosovës dhe Sllovenisë. Unë nuk e di a do të dal para gjykatës sepse unë e kam injoruar tërë procedurën”, tha Haradinaj.

Nga Prishtina shqetësimin për këtë situatë e shprehën zyrtarët e tjerë të AAK-së. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media nënkryetari Ardian Gjini kritikoi qeverinë e Kosovës se nuk i ka adresuar me kohë këtë problematikë.

Në kohën që u ndalua nga autoritetet sllovene në aeroportin e Lubjanës, Haradinaj po kthehej nga Gjermania ku ishte për vizitë zyrtare.

Top Channel