SHBA, “krim nga urrejtja” në kishën afro-amerikane; 9 viktima

18/06/2015 00:00

Nëntë të vdekur, 8 brenda kishës afro-amerikane të shënjestruar nga agresori, dhe 1 në spital. Ky është bilanci i masakrës më të fundit që tronditi Shtetet e Bashkuara, “një krim nga urrejtja”, siç cilësohet prej autoriteteve, i konsumuar në Çarleston të Karolinës së Jugut.

Policia është vënë në kërkim të një të riu të bardhë, tek të 20-at, i përshkruar si njeriu që hyri në kishë rreth orës 9 të mbrëmjes, me orën lokale dhe nisi të qëllonte si i çmendur këdo që gjente përpara.

Nëpërmjet rrjetit social Twitter, një zyrtar i policisë bëri të ditur se i dyshuari është një djalë bjond, i veshur me bluzë gri dhe xhinse.

Një operacion masiv kërkimi ka nisur menjëherë nga forcat e rendit, të cilat nuk janë kursyer të përdorin për këtë qëllim edhe helikopterët. Megjithatë, deri tani nga agresori nuk ka asnjë gjurmë.

Në mesin e viktimave është edhe vetë pastori i kishës, Clementa Pinckney, anëtar demokrat i Senatit të Karolinës së Jugut.

Kryebashkiaku i Çarlestonit, Joe Riley, foli për një tragjedi të pakuptimtë, ndersa shefi i policisë Gregory Mullen u shpreh se është e paimagjinueshme që në shoqërinë e ditëve tona, dikush të hyjë në kishë kur besimtarët janë duke u lutur e t’u marrë jetën.

Incidenti detyroi aspirantin për kandidatin republikan në zgjedhjet presidenciale, Jeb Bush të anulojë mitingun elektoral që kishte planifikuar të mbante në Çarleston, këtë të enjte.

FOTO GALERI
1/4
SHBA, 9 të vrarë në një kishë në Karolinën e Jugut

Top Channel