Shqetësim, tension dhe diplomaci para Samitit të Luksemburgut për Greqinë

18/06/2015 00:00

Duke iu përgjigjur thirrjes në rrjetet sociale, mijëra grekë janë mbledhur në qendër të Athinës në mbështetje të kryeministrit Tsipras dhe përpjekjeve të tij të fundit për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët, vetëm disa orë para Samitit të Eurogrupit, një prej shanseve të fundit që do të shmangte daljen e Greqisë nga zona e euros.

“Jetët tona nuk u përkasin huadhënësve” dhe “Ne nuk shantazhohemi”, ishin disa prej parrullave që mbanin në duar protestuesit.
 
Ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis, tha: “Jemi të kënaqur, për shkak se populli po u dërgon mesazhin e tij kreditorëve tanë, se propozimet që ata kanë dorëzuar nuk janë aspak bujare dhe do ta çojnë vendin në qorrsokak”.
 
Por, ministri i Financave, Janis Varoufakis, ka përjashtuar mundësinë që të arrihet një marrëveshje me partnerët në Eurogroup dhe, duke pritur propozimin përfundimtar të tyre, siç komentojnë mediat greke, ai hyn sot në Samitin e Luksemburgut me argumentin se Greqia nuk ka frikë se do humbë diçka, ndërsa Europa do të humbasë shumë nëse humb Greqinë.

“Nuk besoj se do të kemi marrëveshje. Samitet e Eurogrupit nuk janë të planifikuara për të organizuar bisedime të reja për të cilat nuk ka pasur një përgatitje paraprake. Nuk besoj se ekziston kjo përgatitje dhe, sipas meje, marrëveshja ka për të arritur në nivelin e lartë të liderëve politikë, të kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe kancelarëve”, tha Varoufakis.
 
Ndësa kryeministri Tsipras, i cili viziton përsëri Moskën, i ftuar në Samitin e vendeve të BRICS-it, në një intervistë për të përditshmen gjermane ‘Tagesspiegel’, pasi shpjegoi si funksionon sistemi i pensioneve në Greqi, u sqaroi shtetasve gjermanë ngërçin ku kanë mbetur negociatat.

Në Athinë, reagime të mëdha ka shkaktuar publikimi i raportit të Bankës së Greqisë nga guvernatori i saj, ish-ministër i Financave në qeverinë Samaras, sipas të cilit, dështimi për të arritur një marrëveshje do të shënojë fillimin e një kursi të dhimbshëm që do të çonte fillimisht në falimentim, më pas në daljen e vendit nga zona e euros dhe më pas ka shumë të ngjarë edhe nga Bashkimi Europian.

Athina ka edhe dy javë kohë të sigurojë si fillim këstin e fundit të ndihmës prej 7.2 miliardë euro, nga i cili 1.6 miliardë do të shkojnë për pagesat ndaj FMN-së në fund të këtij muaji, ndërsa më pas të sigurojë një program të ri financimi prej gati 30 miliardë euro për dy vitet e ardhshme, duke pasur si synim kryesor reduktimin e borxhit kolosal të vendit dhe mbi të gjitha të mbetet pjesëtare e zonës së euros.

Top Channel