“Haradinaj”, Kuvendi miraton rezolutën detyruese. Qeveria, notë proteste Sllovenisë

18/06/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, e cila detyron Qeverinë e Kosovës t’i dërgojë një notë proteste Sllovenisë për veprimet që ka ndërmarrë, duke ndaluar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa po kthehej për në Kosovë.

Pika një e rezolutës detyron Qeverinë dhe Presidenten e Kosovës të kërkojnë urgjentisht nga autoritetet sllovene, që Ramush Haradinajt t’i kthehet pasaporta diplomatike pa asnjë kusht dhe menjëherë, si dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë. Rezoluta detyron gjithashtu Qeverinë të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarresteve të lëshuara nga Serbia, për ish-ushtarët e UÇK-së.

Kjo përmbajtje e rezolutës nxiti debat mes deputetes Donika Kadaj-Bujupi, si propozuese, dhe përfaqësuesve të Qeverisë.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, u thanë deputetëve se, Kosova nuk duhet të prishë marrëdhëniet me shtetin slloven, pasi – sipas tyre, – ngjarja e Haradinajt ka të bëjë me sistemin e Interpolit, që policia e secilit vend e ka detyrim ta respektojë. Ata kujtuan se, ngjarje të tilla mund të ndodhin edhe në kufirin me Shqipërinë, nëse paraprakisht nuk njoftohen autoritetet shqiptare.

“Ne duhet të kërkojmë që problemi të zgjidhet. Por problemi duhet të zgjidhet me marrëveshje ndërkombëtare në Bruksel, në mënyrë që të mos ketë më tutje raste të tilla dhe që të eliminohet çdo mundësi. Ndërkaq, duhet të apelojmë të gjithë, që zoti Haradinaj të kthehet sa më shpejt. Këtë apel, unë e kam bërë edhe sot në një bisedë telefonike me kryeministrin slloven dhe do të angazhohemi maksimalisht, që kjo çështje të zgjidhet. Mirëpo duhet të keni parasysh, se bëhet fjalë për një shtet, me të cilin kemi bashkëpunim të thellë ekonomik dhe bashkëpunim ndërshtetëror. Këto marrëdhënie duhet t’i mbajmë edhe më tutje”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Nuk është çështje vetëm me Slloveninë. Atë ditë, në drejtime të ndryshme e në të njëjtën kohë, unë kam udhëtuar së bashku me Haradinajn nga Aeroporti i Prishtinës; ai në drejtim tjetër, unë në drejtim tjetër. Por, të njëjtat lista i keni edhe në Morinë, në hyrje për në Shqipëri, po kështu është. Çfarë do të ndodhë nëse ndonjë deputet ndalet në Morinë, me ndonjë lëshim, apo gabim, apo respektim të vendit të punës, përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve të Shqipërisë? Në atë rast, ne duhet të prishim marrëdhëniet edhe me Shqipërinë?”, pyeti Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Rekomandimet e qeverisë për zbutjen e gjuhës në rezolutë ngjallën reagime nga propozuesja, që është edhe deputete e partisë së Haradinajt.

“Gjuha e përdorur në këtë rezolutë është shumë më e butë sesa veprimet, të cilat po bëhen kundrejt udhëheqësve të Kosovës. Jo vetëm në Slloveni, por edhe në shtete të tjera”, tha Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së.

Moskoordinimi i grupeve parlamentare dhe debati për përmbajtjen e rezolutës hutoi deputetët, të cilët nuk dinin si të votonin, dhe fillimisht nuk arritën ta miratonin atë. Por, kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi që të votohej sërish për këtë rezolutë, e më pas deputetët e miratuan me shumicë votash.

Pas seancës për Ramush Haradinajn, Kuvendi ka vijuar me seancën e rregullt plenare, ku ishte parashikuar edhe një interpelancë e ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, por meqenëse Ramush Haradinaj, si kërkues i interpelancës, nuk ndodhej në Kosovë, ajo u shty për një seancë tjetër.

Top Channel