Kancelarja gjermane Angela Merkel jep një dritë shprese për Greqinë me deklaratën se, arritja e një marrëveshjeje për borxhin grek është ende e mundur.

Jo çdo mundësi është e mbyllur për vulosjen e paktit me kreditorët, BE-në, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Europiane, ndërsa Gjermania duket se është motori kryesor mbështetës i qëndrimit të Greqisë në Eurozonë, siç pohoi vetë kancelarja përpara Bundestagut. Athina megjithatë, theksoi ajo, duhet t’i përmbahet deri në fund angazhimit për reforma.

“Vazhdoj të jem e bindur se ku ka vullnet, ka zgjidhje. Nëse qeveritarët grekë do të arrijnë ta grumbullojnë këtë vullnet, atëherë marreveshja me tre institucionet huadhënese ende është e mundur”, tha Merkel.

Në muajin shkurt, shtoi shefja e ekzekutivit gjerman, qeveria greke u zotua të ndërmarrë reforma strukturore dhe kjo duhet bërë vërtet. Komentet e saj vijnë në një kohë kur fjala e shkurtër “Grexit”, me të cilën përkufizohet dalja e Greqisë nga zona e euros, dëgjohet gjithmonë e më shumë në Berlin.

Edhe vetë politikani brenda koalicionit qeveritar të CDU, CSU dhe SPD-së e konsiderojnë të mundur fundin e negociatave mes Athines dhe kreditorëve. Sondazhet më të fundit tregojnë edhe një ndryshim të ndjeshëm të qëndrimit publik.

Sipas anketimit të realizuar nga ZDF, vetëm 41 për qind e gjermanëve e mbështesin sot qëndrimin e grekëve në Eurozonë. Por 5 vjet më parë, Merkel pati deklaruar në Parlamentin gjerman se dështimi i euros do të thotë dështim i Europes, e siç thekson zëdhënësi i saj, për kancelaren kjo moto vlen akoma.

Ekspertët mendojnë se shkëputja e Greqisë mund të ishte fillimi i fundit të Eurozonës, si dhe fundi i rolit drejtues të Merkelit në kontinentin e vjetër dhe një fiasko, të cilën do t’ia ngarkonin në radhë të parë asaj.

Top Channel