“Haradinaj”, Mustafa telefonon homologun slloven: Sa më parë lirimi. Pafajësia, e provuar

18/06/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa zhvilloi këtë të enjte një bisedë telefonike me homologun slloven, Miro Cerar, lidhur me ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Nga informacionet e fundit mësohet se kryeministri slloven i premtoi kryeministrit Mustafa se procedurat ndaj Haradinaj do të zhvillohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me ligjin dhe detyrimet ndaj Interpolit.

“Mustafa i kërkoi homologut Cerar që Haradinajt t’i mundësohet kthimi sa më parë në Kosovë”, bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp nga qeveria e Kosovës.

Sipas njoftimit, kryeministri Mustafa ka ripërsëritur se nuk ka asnjë arsye që Haradinaj të përballet me situata të tilla, sidomos kur kemi parasysh se pafajësia e tij është dëshmuar edhe në gjykatat ndërkombëtare.

Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë që bashkërisht të punojnë për evitimin e situatave të tilla, duke kërkuar nga Interpoli të rishikohet lista e fletë-arresteve, për të cilat tashmë ka vendime shfajësuese nga instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare.

Ndërkohë, AAK, me anë të një letre ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i dërgojnë një notë proteste Republikës së Sllovenisë, për shkëputje të marrëdhënieve bilaterale, diplomatike dhe tregtare, deri në mundësimin e kthimit të Ramush Haradinajt.

Në këtë letër, drejtuar presidentes Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa, kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçi dhe ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ndër të tjera kërkohet që të pastrohen listat fletarresteve në bazë të të cilave është ndaluar Haradinaj, që AAK i ka cilësuar si “mbeturina të mentalitetit jugosllav”.

Lirimin e shpejtë të Haradinajt dhe pastrimin e listave të fletarresteve e ka kërkuar edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi në takim me ambasadorin slloven në Kosovë.

Ndërkohë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, kryesia e AAK-së ka marrë vendimin që të protestojë para ambasadës sllovene në Prishtinë, deri në kthimin e Haradinajt në vendin e tij. Nënkryetari Ardian Gjini njoftoi se AAK ka pezulluar të gjitha kuvendet zgjedhore nëpër komuna.

Top Channel