Papa: Qarkorja për klimën të pritet me shpirt të hapur

18/06/2015 00:00

Papa Françesku ka bërë thirrje që qarkorja e tij për ambjentin të pritet nga e gjithë bota me “shpirt të hapur”, duke thënë se, deklarata e paprecedentë ekologjike duhet të konsiderohet si një apel për më shumë përgjegjshmëri.

Në esenë që është publikuar nga Vatikani këtë të enjte, Ati i Shenjtë apelon për një sfidë morale ndaj indiferencës globale për ndryshimet e klimës, duke nënvizuar me terma të ngurtë se, njerëzimi po dështon në rolin e tij të dhënë nga Zoti për t’u kujdesur për Tokën, në një moment kur koha po mbaron.

Ai thotë gjithashtu se, ndryshimet e klimës shkaktohen kryesisht nga njeriu dhe se pikërisht njerëzit duhet të ndalojnë mbështetjen tek lëndët e vjetra si burim energjie.

“Shtëpia jonë po rrënohet dhe ky rrënim dëmton këdo, sidomos të varfërit. Thirrja ime është një apel për përgjegjshmëri, ndaj i kërkoj kujtdo që ta marrë këtë dokument me shpirt të hapur”, është shprehur Papa.

Qarkorja mund të shihet si testi i fundit i rolit të Papa Françeskut, i konsideruar si një ndër diplomatët më influentë, pasi më herët gjatë vitit ai ndihmoi në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës.

Publikimi i dokumentit bëhet pak muaj përpara vizitës së Atit të Shenjtë në Shtetet e Bashkuara, ku ai do t’u adresohet Kombeve të Bashkuara dhe do të përpiqet të inkurajojë negociatorët e çështjes së klimës përpara samitit me të njëjtin subjekt që do të mbahet në nëntor, në Paris. Gjithashtu, ai do të mbajë edhe një fjalim në Kongresin Amerikan, në shtator.

Top Channel