Rama uron besimtarët myslimanë nga xhamia e re e Dragostunjës

18/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së Muajit të Ramazanit nga xhamia e re e Dragostunjës në Librazhd, e cila ka çelur dyert e saj për besimtarët disa ditë më parë. Ky objekt kulti është konceptuar jo vetëm si një vend lutjeje, por edhe edukues dhe arsimues për besimtarët e kësaj zone.

“Kjo xhami është një simbol i vullnetit të mirë, vepër e realizuar me kontributet e besimtarëve dhe jo besimtarëve, por të gjithë së bashku për të mbledhur kontribute me besimin e madh, se një vepër e tillë bën mirë për të gjithë dhe është një ogur i mirë për të gjithë. Nga ana tjetër, bëra këtë ndalesë edhe në respekt të thellë të mikut dhe klerikut të njohur Ylli Gurrës, me të cilin unë ndaj një kujtim të paharrueshëm të Parisit më 11 janar, ku marshimi dorë për dore i komuniteteve fetare shqiptare, u bë krenaria dhe shpresa europiane e asaj dite. Kështu që jam i bindur që të gjithë ata që do ta përdorin këtë hapësirë do të ndihen jashtëzakonisht mirë edhe për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të punës së bërë dhe të shijes shumë të rafinuar të atyre që i kanë dhënë asaj të gjithë veshjen e bukur të dekorit që është i domosdoshëm në një hapësirë të tillë”, tha Rama.

Kryeministri bëri këtë urim me rastin e nisjes së Muajit të Ramazanit, një prej evenimenteve më të rëndësishme në kalendarin e fesë Islame: “Uroj për të gjithë ju që të jetë i mbarë ky muaj i madh i Ramazanit dhe përfitoj nga rasti që nga sheshi i kësaj xhamie të vogël, por mjaftueshmërisht rrezatuese, t’ia çoj këtë urim të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe në radhë të parë të gjithë atyre që përmes këtij muaji dhe riteve të tij, do të kërkojnë më shumë dritë dhe më shumë shpresë, por padyshim do të përftojnë dhe më shumë forcë në rrugën e tyre të jetës”.

Rama mbolli një pemë dafine, në shenjë simbolike, të kësaj vizite.

Top Channel