Basha: PD, masa me vëzhguesit. Nuk do t’i lejojmë votuesit fiktivë të votojnë

18/06/2015 00:00

Durrësi dhe Kavaja, por kryesisht Durrësi pritet të jetë pika e nxehtë e këtyre zgjedhjeve, sepse Partia Demokratike ka vendosur të mos lejojë votimin e asnjë prej qytetarëve që, sipas saj, janë shtuar në mënyrë fiktive në listat e zgjedhësve.

Këtë vendim kryetari Lulzim Basha ua bëri të ditur edhe vëzhguesve të Këshillit të Europës, në një takim të zhvilluar këtë të enjte.

“Nuk ka votues të zhvendosur në Durrës apo Kavajë, që do të lejohet të votojë. Dhe që s’është i regjistruar sipas ligjit. Në rastet ku ka votues fiktivë, të tillë që janë zhvendosur diku vetëm për zgjedhje pa dijeninë e tyre apo në mënyrë korruptive. Ata nuk do të mund të votojnë, të mos e marrin mundimin, të mos pranojnë lekët e korruspionit, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Basha.

Partia Demokratike thotë se në Durrës janë verifikuar 2880 zgjedhës të tillë, që kanë zhvendosur qëndrimin në këtë bashki këto muajt e fundit.

Pas kallëzimit penal, ky fakt u verifikua nga prokuroria për 650 dosje të familjeve të transferuara në Durrës dhe gjykata vendosi sekuestrimin e të dhënave nga gjendja civile, duke urdhëruar ndalimin e çdo veprimi me këto të dhëna. Sipas ekspertëve, ky urdhër i gjykatës nuk do të thotë që votuesit të mos e ushtrojnë të drejtën e votës.

Kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse lista e zgjedhësve në Durrës do të printohej sërish, por për këtë duhet një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili tha të mërkurën se nuk kishte bazë ligjore për ta bërë këtë dhe se i takonte gjykatës të merrte një vendim përfundimtar për ushtrimin e së drejtës së votës të 2880 zgjedhësve të transferuar.

Tre ditë para zgjedhjeve ky vendim nuk ekziston, por Lulzim Basha u shpreh i prerë në qëndrimin e tij. “Komisionerët tanë nuk do të lejojnë votimin e personave të regjistruar në mënyrë fiktive”, theksoi ai. 

Top Channel