Parku Kombëtar i Dajtit, Rama inspekton rehabilitimin e rrugës

18/06/2015 00:00

Rruga që të çon në Parkun Kombëtar të Dajtit, e lënë në mëshirë të fatit dhe e degraduar tërësisht, ka nisur të rehabilitohet. Punimet u inspektuan nga kryeministri Rama, i cili rreth dy vite më parë premtoi vënien dorë në këtë rrugë.

Ndërkohë, deputeti zonës, Xhemal Qefalia tha se njerëzit detyroheshin ta braktisnin frekuentimin e Dajtit, për shkak të rrugës tejet të amortizuar.

“Bashkë me Xhemalin, pikërisht këtu në këtë pikë kemi qenë, kur erdhëm dy vjet më parë dhe konstatuam publikisht fatkeqësinë që kjo rrugë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe urban të kryeqytetit ishte lënë në gjendjen më të tmerrshme. Dhe thamë që kjo do të jetë një rrugë prioritare. Puna ka filluar, por mbetet për t’u sqaruar fakti që kjo rrugë nuk të çon tek shtëpia ime. Për arsye që janë misterioze, rruga që çon tek shtëpia ime është një nga rrugët e bëra, edhe pse nuk është rrugë e një rëndësie të madhe dhe e ka bërë Saliu. Komshinjtë aty thonë që ishte një histori tokash për interesa të caktuara, por unë nuk i hyj kësaj. Ajo që ka rëndësi është që ne do të bëjmë një rrugë shumë më turistike për të shkuar deri lart në Parkun e Dajtit”, u shpreh Rama.

Në projekt parashikohet ndërtimi i stacioneve të furgonëve, autobusëve, kazanët e mbeturinave dhe vendparkimi, përfshirë ndërtimin e një piste vrapimi.

Top Channel