Halim Kosova, me ish të përndjekurit: Do të jem gjithmonë pranë jush

18/06/2015 00:00

Doktor Kosova, në një takim me të përndjekurit politikë, premtoi se nuk do ta zhgënjejë këtë shtresë të shoqërisë shqiptare.

“Unë sot po i mbyll letrat por po ju them një gjë: do të më keni përkrah dhe do të jemi të lidhur ngushtësisht, për të zgjidhur probleme ndoshta edhe të trashëguara, që fillojnë nga gjëja më minimale, por shumë e rëndësishme, strehimi, shkollimi, punësimi dhe falënderimi për atë që keni bërë, duke vënë emra rrugësh me njerëzit që ju do të propozoni”, tha Halim Kosova.

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës u shpreh se, të përndjekurit politikë do të jenë në krah të tij, në drejtimin e bashkisë.

“Jam këtu para jush të bëjmë së bashku gjënë më të mirë në këtë qytet, që të shërbejë si shembull edhe për tërë Shqipërinë, për të ngritur në monument atë veprën e madhe që nuk ka çmim, që e keni lënë ju: siç është jeta, sakrificat dhe shumë vite rini”, tha Kosova.

Doktor Kosova tha se ka vlerësimin maksimal për të përndjekurit politikë.

“Kam pasur gjithnjë respekt të veçantë për ju, jo vetëm pse një pjesë e familjes sime dhe bashkëshortes sime bëjnë pjesë te ju, por për faktin që ju keni pasur kurajo të ngrini zërin për gjëra që nuk shkonin, për lirinë në veçanti, në një kohë kur jo çdokush kishte guximin ta bënte”, deklaroi Halim Kosova.

Top Channel