Muri hungarez trondit Serbinë, Vuçiç: Nuk jemi përgjegjës për situatën e klandestinëve

18/06/2015 00:00

Plani i Hungarisë për ngritjen e një barriere kufitare që t’i mbajë emigrantët larg, e ka befasuar dhe tronditur kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç.

Muri, katër metra i lartë, sipas tij, nuk është zgjidhje për ngërçin e refugjatëve që hyjnë në këtë vend nga Serbia. Autoritetet hungareze e bënë publik këtë plan të mërkurën kur sqaruan se muri do të shtrihet përgjatë 175 kilometrash vijë kufitare mes dy vendeve.

Hungaria, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto, nuk mund të presë që Bashkimi Europian të dalë me një zgjidhje për emigracionin. Por në intervistën televizive të dhënë gjatë vizitës së tij në Oslo, vuçiç nuk e fshehu habinë për këtë vendim.

“Jam thellësisht i çuditur. Do ta diskutojmë këtë situatë me kolegët tanë hungarezë, por ndërtimi i mureve nuk është zgjidhje. Serbia nuk mund të jetë përgjegjëse për gjendjen e krijuar nga emigrantët, në jemi thjesht një vend tranzit. Pse, Serbia e mban përgjegjësinë e krizës në Siri?”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi gjithashtu se këtë temë ka ndërmend ta diskutojë edhe me partnerët e Beogradit në Bashkimin Europian. Kritika pati edhe nga komisioneri i të drejtave të njeriut, Nils Muiznieks, i cili e përshkroi planin e ndërtimit të murit si ‘krejtësisht të paarsyeshëm’.

Numri i klandestinëve që hyjnë në Hungari është rritur ndjeshëm këtë vit. Shifrat zyrtare tregojnë se 54.000 emigrantë kanë kaluar kufirin në 2015-tn ndërsa një vit më parë, ky numër ishte 43,000. Të dhënat e Agjencisë Europiane të statistikave Eurostat, evidentojnë shtetasit kosovarë si grupin më të madh të azilkërkuesve në Hungari.

Top Channel