Vuçiç, habi për ndalimin e Haradinajt: Me të njëjtën pasaportë ka udhëtuar në tërë Europën

18/06/2015 00:00

Serbia duket e befasuar me arrestimin e Ramush Haradinajt në Slloveni. Vetë kryeministri serb, Aleksander Vuçiç, ka thënë se duket sikur po ndodhin disa gjëra të çuditshme.

“Është e qartë që do të ketë presion ndaj Serbisë për shkak të bisedimeve. Ne shkojmë në Bruksel që të arrijmë marrëveshje, por për të vallëzuar tango duhen dy persona”, ka thënë Vuçiç, në një deklarim për mediat serbe.

Haradinaj, siç ka thënë Vuçiç, ka kaluar me të njëjtën pasaportë diplomatike 50 herë në të gjitha vendet dhe asnjëherë nuk është arrestuar.

Një qëndrim më të qartë për këtë pritet ta japë qeveria gjatë takimeve të ardhshme, ndërkohë gjykata sllovene po merret me verifikimin e ekzistimit të një padie nga Serbia ose jo.

Përveç Vuçiç, edhe mediat shtrojnë pyetjen se a ka ngritur Serbia padi ndaj Haradinajt. Ndonëse në arkiva duket se ka shumë padi, e sidomos për Haradinajn ku përmenden 108 prej tyre, Top Channel nuk ka mundur të kontaktojë Ministrinë e Drejtësisë, pasi duket se nuk ka një përgjigje të qartë.

Top Channel