Kupa e Amerikës, Dunga: Mund t’ia dalim edhe pa Neymarin

18/06/2015 00:00

Trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, duket se nuk është edhe aq shumë i shqetësuar për rezultatin e fundit, humbjen 1-0 me Kolumbinë, sesa për mungesën si pasojë e ndëshkimit me karton të kuq të yllit të “Selecao”-s, Neymar.

Megjithatë, Dunga këmbëngul se ekipi do ta gjejë sërish një mënyrë për të ecur përpara në Kupën e Amerikës, edhe pa shërbimet e kapitenit tepër frymëzues dhe golashënuesit “O’Ney”.

Drejtuesit e disiplinës për turneun amerikano-latin priten të njoftojnë këtë të enjte ndëshkimin që do t’i japin Neymarit, i cili u ndëshkua për shkak se kërkoi të godiste me kokë autorin e golit për Kolumbinë, Jeison Murillo, gjatë ndeshjes së të mërkurës mbrëma (mesnatë në Shqipëri) të përfunduar me rezultatin 1-0 për kolumbianët.

Nëse do të jepet një pezullim prej dy ndeshjesh, apo më saktë dënimi i zakonshëm në rastet kur ndëshkohesh me të kuq, Neymar do të mungojë në sfidën e fundit të grupit kundër Venezuelës, por edhe në njërën prej sfidave të çerekfinaleve.

“Kemi luajtur pa Neymarin edhe në të kaluarën. Ndaj dhe duhet të jemi gati ta bëjmë edhe këtë herë”, tha Dunga në lidhje me mungesën e lojtarit kryesor të “Selecao”-s.

Trajneri brazilian bëri të ditur se do të priste të mësonte se çfarë dënimi do t’i jepet lojtarit, por në konferencën për shtyp pas ndeshjes së të mërkurës deklaroi se i kishte në kokë zgjidhjet e mundshme edhe pa të.

“Kemi nisur që tani të mendojmë sesi do të luajmë. Kemi luajtur edhe një tjetër herë pa Neymarin, kështu që do të mbështetemi te lojtarët e tjerë që kemi”, tha Dunga. “Kemi një grup të tërë lojtarësh, sigurisht që do të donim të mbështeteshim edhe te Neymar. Por do ta gjejmë një mënyrë zëvendësimi për të”.

Top Channel