Ekzekutohet vendimi për sekuestron e pasurive të Becchettit

18/06/2015 00:00

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave, ka ekzekutuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për sekuestrimin e pasurive të Francesco Becchettit, i dyshuar për pastrim parash.

Masa e sekuestros është vendosur ndaj shoqërive “Energji”, “400” KE, “Fuqi”, “Cable system” dhe “Agon-Set”.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ministria e Financave thuhet se zbatimi i vendimit të gjykatës për sekuestrimin e “AgonSet” është bërë në prani të përfaqësuesve të kësaj shoqërie.

10 ditë më parë, Gjykata e Tiranës nxori katër urdhër-arreste nën akuzën e “pastrimit të produkteve të veprave penale”, “pastrimit të parave” dhe “shpërdorimit të detyrës”, mes të cilëve edhe biznesmeni italian, Francesco Becchetti.

Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian, Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.

Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.

Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre.

Top Channel