Arrestohet autori i masakrës në Karolinë. Obama dorëzohet për kontrollin e armëve

18/06/2015 00:00

21-vjeçari Dylann Roof, pa ngjyrë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e 9 personave në një kishë afro-amerikane të Charlestonit, në Karolinën Jugore, është arrestuar pasditen e së enjtes pas një sulmi, që autoritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara po e konsiderojnë si krim nga urrejtja.

Zyrtarë të zbatimit të ligjit e arrestuan agresorin e dyshuar, Dylann Roof, pas një postblloku në Shelby të Karolinën së Veriut, rreth 350 km në veri të Charlestonit, siç bëri të ditur shefi i policisë, Gregory Mullen. “Ky individ ka kryer një krim tepër tragjik dhe të neveritshëm mbrëmjen e kaluar”, tha Mullen për reporterët.

Të shtënat masive të së mërkurës vonë erdhën pas disa muajsh protestash me natyrë raciste për shkak të vrasjes së njerëzve me ngjyrë nga policia, gjë që tronditi Shtetet e Bashkuara.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-ve, Loretta Lynch, tha se zyra e saj ka nisur hetimet, nëse do të mund të gjenden bazat për të akuzuar Roof me “krim me motive urrejtjeje racore apo paragjykime të tjera”. Të tilla krime, shpesh herë në Amerikë marrin dënime tepër të rënda.

“Fakti që ky krim ndodhi në në një kishë të njerëzve me ngjyrë, sigurisht që ngre dyshime në lidhje me një anë tepër të errët të historisë sonë”, tha Presidenti amerikan, Barack Obama, në një dalje enkas për këtë ngjarje përpara reporterëve. “Ne nuk i kemi të gjitha faktet, por e dimë se, sërish, disa njerëz të pafajshëm u vranë, sepse dikush që donte t’u bënte keq nuk e pati të vështirë të siguronte një armë në duart e tij”, shtoi Obama.

Qendra kërkimore për varfërinë SPLC, e cila merret me studimin e grupeve të urrejtjes në SHBA, bën të ditur se sulmi në fjalë tregon edhe njëherë rrezikun që ekstremistët e rritur brenda vendit përbëjnë ndaj vetë popullit.

“Që prej 11 shtatorit të 2001-shit, vendi ynë është fiksuar me kërcënimin ndaj terrorizmit apo xhihadizmit. Por, tragjedia e tmerrshme në ‘Emanuel AME’ na risjell në mendje se kërcënimi nga terrorizmi i rritur brenda vendit është edhe më real sesa ai jashtë vendit”, bëri të ditur grupi në fjalë përmes një deklarate.

Mes viktimave, 6 femra dhe 3 meshkuj, përfshihet edhe Clementa Pinckney, i cili ka qenë pastor i kishës dhe një anëtar demokrat i Senatit të shtetit, thanë kolegët e tij.

Top Channel