FMN nuk toleron, Lagarde: Asnjë ditë më shumë se 30 qershori për Greqinë

18/06/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk do të tolerojë asnjë ditë përtej 30 qershorit, afati i fundit për Greqinë për të paguar këstin e radhës prej 1.6 miliardë eurosh.

Presidentja e FMN-së, Cristine Lagarde tha se për institucionin që ajo drejton, Greqia do të jetë e falimentuar më 1 korrik, nëse dështon të bëjë pagesën deri më 30 qershor.

“Shpresoj shumë që të mos jetë ky rasti. Vërtet shpresoj!”, deklaroi Lagarde pas takimit të Ministrave të Financave në Luksemburg.

Ndërkohë, nga Athina një tjetër zë u është kundërvënë huadhënësve ndërkombëtarë. Kryetarja e Parlamentit grek, Zoe Konstantopulu deklaroi të enjten se borxhi grek “është i paligjshëm dhe kërkesat e partnerëve të neveritshme”.

Më herët, Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu besimin se mund të gjendet gjuha e përbashkët me autoritetet greke.

“Vazhdoj të jem e bindur se ku ka vullnet, ka zgjidhje. Nëse qeveritarët grekë do të arrijnë ta grumbullojnë këtë vullnet, atëherë marreveshja me tre institucionet huadhënese ende është e mundur”, tha Merkel.

Në një raport të publikuar një ditë më parë, Banka Qendrore greke lëshoi alarmin se mungesa e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe huadhënësve ndërkombëtarë dhe falimentimi i mundshëm, do ta zhyste ekonominë e vendit në një spirale të dhimbshme, që mund të nxjerrë Greqinë, jo vetëm nga Eurozona, por edhe jashtë vetë Bashkimit Europian.

“Dështimi në gjetjen e një ujdie do të shënonte nisjen e një rruge të dhimbshme që do të fillonte me falimentimin e daljen e vendit nga zona e monedhës së përbashkët, e me shumë gjasa edhe prej Bashkimit Europian”, thuhet në një raport të publikuar nga Banka Qendrore greke.

Banka thotë se gjetja e gjuhës së përbashkët me partnerët sa i takon huadhënies, është një detyrim historik që Athina nuk mund ta shpërfillë.

“Një marrëveshje do t’i lejonte Greqisë që të përfitojë nga situata e favorshme në ekonominë globale, por do të përfitonte edhe likuiditet nga programi i Bankës Qendrore Europiane. Parësore për ne duhet të jetë krijimi sa më parë i atyre kushteve që do t’i mundësonte ekonomisë greke rikthimin në tregjet globale”, vlerëson Banka Qendrore greke.

Top Channel