Recesioni rus, aleati i Putinit propozon zgjedhje të parakohshme presidenciale

18/06/2015 00:00

Alexei Kudrin, një ish-ministër i Financave, ka propozuar këtë të enjte zgjedhje të parakohshme presidenciale, në mënyrë që t’i jepet aleatit të tij, Vladimir Putin, një mandat edhe më i fortë për të reformuar ekonominë dhe për të udhëhequr Rusinë mes një “stuhie” financiare.

Rusia ka rënë në recesion, teksa sanksionet ekonomike të vendosura prej Perëndimit – për shkak të rolit të Moskës në konfliktin e Ukrainës – kanë pasur ndikimin e tyre, por shtuar këtu edhe rënien globale të çmimit të naftës, zhvillime këto që i kanë privuar këtij shteti të sigurojë të ardhura prej burimeve kryesore të tij.

Zyrtarë qeveritarë siguruan investitorët e huaj dhe ata vendas, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Pjetërburgut, që shënon eventin më madhor e të përvitshëm të biznesit në Rusi, se ekonomia është duke shkuar në një formë edhe më të mirë nga sa ishte muaj më parë.

Kudrin, i cili është shkarkuar nga kreu i Financave në vitin 2011, por që konsiderohet gjerësisht si një prej zërave me më shumë ndikim te Putin, tha se ekonomia ka nevojë për reformim të thellë.

“Nëse e shohim situatën nga këndvështrimi i rritjes ekonomike, tashmë jemi në qendrën e vorbullës së stuhisë”, tha ai, duke shtuar se më e keqja ende nuk ka marrë fund për ekonominë ruse. “Kur flasim për reforma strukturore, nuk bëhet fjalë vetëm për shkrimin e disa dokumenteve. Na duhet dëshirë e vullnet politik, një ekip dhe një president, të cilët të ndajnë të gjithë të njëjtin mendim”, shtoi më tej Kudrin.

“Ndaj pse jo… pse të mos i afrojmë zgjedhjet presidenciale dhe të shpallim një program të ri reformues, që do të ishte më i zbatueshëm me një mandat të ri?”, propozoi ish-ministri i Financave.

Ende nuk është e qartë nëse Kudrin e ka diskutuar këtë ide të tijën me Putinin; i cili në fakt fitoi një mandat të tretë gjashtëvjeçar në vitin 2012, por gjithashtu mund të rigarojë në zgjedhjet e 2018-s; apo nëse kjo ide mbështetet nga të tjerë në Kremlin.

Kudrin u shkarkua pas një mosmarrëveshje me Dmitry Medvedev, i cili ishte President në atë kohë dhe tashmë kryeministër, për shkak të shpenzimeve tepër të larta ushtarake. Ai gëzon respekt të gjerë në Perëndim.

Mediet ruse thonë se Moska, prej kohësh ka marrë në konsideratë planet për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat janë planifikuar për në dhjetor të 2016-s por që mund të mbahen në shtator, në mënyrë që të përforcohen mundësitë e partisë në qeverisje, “Rusia e Bashkuar”.

Top Channel