Fluksi i emigrantëve ilegalë, Maqedonia ndryshon ligjin për azil

18/06/2015 00:00

Përmes ndryshimit të ligjit për azilantët, autoritetet e Shkupit tentojnë të zgjidhin problemet me fluksin e madh të emigrantëve ilegalë.

Parlamenti miratoi këtë të enjte ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria, për t’u mundësuar emigrantëve nga Lindja e Mesme të qëndrojnë në Maqedoni deri në 72 orë, në mënyrë ligjore. Brenda këtij afati kohor, ata duhet të përcaktojnë nëse do të kërkojnë azil, ose do të largohen nga vendi.

“Me këtë ligj, mendoj se do të tejkalohen shumë prej problemeve, që Maqedonia ka me emigrantët. Deri tani, qytetarët kanë treguar anën e tyre humane, duke i ndihmuar emigrantët. Gjithsesi, ka pasur edhe raste kur ata janë keqpërdorur, por policia ka reaguar tashmë dhe ka ndjekur penalisht të gjithë ata persona, që keqpërdorën vuajtjet e emigrantëve”, tha Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimet ligjore priten të hyjnë në fuqi ditën e premte. Deputetët e mazhorancës thonë se, ligji i ri për azilantët do të zbusë problemet me emigrantët nga Lindja e Mesme, me të cilët nuk përballet vetëm Maqedonia.

“Është një përpjekje e institucioneve përkatëse, që t’i përgjigjen situatës së krijuar me fluksin e të ikurve nga vende të ndryshme, që janë të përfshirë në luftëra, sepse në legjislacionin ekzistues kishte zbrazëtira të caktuara, të cilat krijonin mundësi për keqpërdorime me statusin e emigrantëve”, tha Talat Xhaferi, shef i grupit parlamentar të BDI-së.

Ndërkohë, sektori civil dhe Avokati i Popullit kanë shprehur vërejtje të shumta për kushtet e rënda, me të cilët përballen emigrantët në Qendrën për të Huaj në Shkup. Sipas të dhënave të policisë, rreth 2500 emigrantë në ditë kalojnë ilegalisht kufirin e Maqedonisë, për të vazhduar përmes Serbisë drejt Hungarisë, e më tej drejt vendeve të më pasura të BE-së.

Gjatë këtij viti, në Maqedoni kanë humbur jetën rreth 30 emigrantë nga Siria dhe Afganistani.

Top Channel