Rama-Meta, në Velipojë: Me votën për Bazhdarin fitojnë të majtët e të djathtët

18/06/2015 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta ishin në Velipojë, ku kërkuan votat për Keti Bazhdarin. Velipoja – tha Rama, – për ne është një territor strategjik, për zhvillimin urban dhe ekonomiko-social të Shkodrës.

“Për herë të parë në historinë e vet Velipoja në këtë sezon do të ketë ujë 24 orë. Para se të vija këtu, ndalova te punimet që po bëhen në stacionin e ri të ujësjellësit, e t’iu them të drejtën përsëri mendova sesi ka mundësi, që për kaq gjatë PD dhe pushteti i saj i mori shkodranët për budallenj. Çfarë quhej stacion ujësjellësi ishte një llahtar”, tha kryeministri Rama.

Vota për Keti Bazhdarin – tha Rama, – do të thotë se nuk fitojnë vetëm të majtët, por edhe demokratët, të cilëve u dha një mesazh për udhëheqësin e tyre, Lulzim Basha.

“Është gënjeshtari më i madh që ka lindur, është rritur dhe ka gënjyer në Shqipëri, në të gjithë historinë e Shqipërisë, – theksoi Rama, – sepse është i vetmi, që arrin të gënjejë sikur këndon. Dhe nëse do të zgjidhnin të kundërtën, demokratët në fakt do të zgjidhnin konfliktin dhe sherrin”, tha më tej Edi Rama.

Më pas ai u ndal tek projektet në infrastrukturë. “Po shqyrtojmë projektin e rrugës së re, që do të lidhë Shkodrën me Velipojën, dhe jemi në diskutime me Qeverinë e Malit të Zi për të bërë një punë të përbashkët, për të forcuar lidhjen në infrastrukturë mes kësaj ane të kufirit dhe asaj ane matanë. Jemi shumë të vendosur, që të japim një nxitje të madhe urbane, ekonomike dhe sociale, që nga bregdeti këtu, deri lart në Alpe”, shtoi kryeministri.

Ndërsa Ilir Meta foli për maksimalizimin e çdo vote për Keti Bazhdarin.

“Vetëm 72 orë punë deri në sekondën e fundit dhe votën e fundit. Aleanca për Shqipërinë Europiane, me Keti Bazhdarin do të arrijë një sukses historik për Shkodrën”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Projektet në infrastrukturë u konfirmuan edhe nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Pasi shprehu bindjen në fitoren e Keti Bazhdarit më 21 Qershor, kreu i Kuvendit tha se Shkodrës dhe shkodranëve nuk u duhet kënga “Rama-Meta ka mbaruar”.

Top Channel