Vendimi i Apelit Administrativ, pezullohet edhe leja e pallatit te Liqeni

18/06/2015 00:00

Edhe një trupë tjetër gjyqësore i thotë “jo” ndërtimit të objektit 17-katësh te diga e Liqenit, për të cilin u vendosën përballë njëri-tjetrit që prej janarit, zëri i shoqërisë civile dhe kompania ndërtuese “Gener 2”.

Në fund të majit, Gjykata e Apelit Administrativ pezulloi ndërtimet e këtij pallati, ndërsa trupa gjyqësore me anëtarë Kastriot Seliten, Altina Nasufin dhe Rilinda Selimin pezulluan gjithashtu edhe lejen e ndërtimit, të lëshuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës që mban datën 14 tetor 2014.

Në këtë verdikt që konsiderohet i formës së prerë Gjykata e Apelit Administrativ shprehet se kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Në kulmin e zërave të opinionit publik, të cilët u deklaruan kundër projektit, në janar kreu i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e objektit tek diga e Liqenit në Tiranë, por kompania ndërtuese ju drejtua Gjykatës Administrative Tiranë, e cila në sigurimin e padisë i dha të drejtë kompanisë me argumentin se nuk cenohej interesi publik dhe se egzistonte rrisku që të shkaktohej dëm ndaj paditësit.

Po ashtu, Gjykata përmendi edhe si fakt mbështetës marrjen e një kredie nga kompania. Kjo çështje përfundoi e ankimuar në Apelin Administrativ i cili me dy vendime të njëpasnjëshme nga dy trupa të ndryshme gjyqësore, vlerëson të ligjshëm, jo vetëm urdhërin për pezullimin e ndërtimeve të mëtejshme, por pezullon edhe lejën e firmosur nga kryebashkiaku Basha.

Ndërsa parashikohet që pala humbëse të synojë edhe Administrativen e Gjykatës së Lartë, derisa ky rekurs të depozitohet e të shqyrtohet, kjo masë sigurimi qëndron në fuqi, derisa Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të shprehet për çështjen në themel.

Top Channel