Arrestohet Vladimir Gjuta; Në kërkim, si pjesëtar i grupit të tritolit e për kërcënim ndaj Tahirit

18/06/2015 00:00

Vladimir Gjuta, njeriu që akuzohet për vendosjen e tritolit në farmacinë e të atit të ministrit të Brendshëm, si dhe për kërcënimet me anë të mesazheve telefonike ndaj Saimir Tahirit, u arrestua rreth orës 17 e 30 minuta, në tunelin e Kalimashit.

Sipas burimeve policore, Vladimir Gjuta ishte nisur nga Tirana në drejtim të Kukësit. Policia kishte siguruar të dhëna në rrugë operative, se ai do të lëvizte drejt qytetit verior. Forca të shumta policore, forcat speciale si dhe ato RENEA ishin vendosur në afërsi të tunelit më herët, në pritje të ardhjes së automjetit, në të cilin udhëtonte Vladimir Gjuta.

Sapo ai ka hyrë në tunel, forcat policore kanë bllokuar hyrjen dhe daljen e tij, duke ngritur grackë ndaj Gjutës. Bashkë me të u ndaluan edhe dy shtetas kosovarë nën akuzën e përkrahjes së personave të kërkuar.

Ai u transportua menjëherë drejt Tiranës, nën shoqërimin e forcave të shumta të policisë. Mbi Gjutën rëndojnë një mori akuzash, ku më e rënda mbetet ajo e pjesëmarrjes në grupe të strukturuara kriminale.

Vladimir Gjuta ishte një ndër 7 personat që nuk u arrestuan dot, pas zbulimit të grupit që vendosi tritolin në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm. I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Gjuta mendohej se vazhdonte të fshihej në kryeqytet.

Për disa muaj me radhë u kontrolluan ambiente, ku dyshohej se ai mund të fshihej, por pa rezultat. Policia mendoi që të kryente arrestimin e tij ditën kur do të lëvizte nga kryeqyteti. Ndaj dhe, mesditën e së enjtes u vu në ndjekje të tij, që nga kryeqyteti, dhe kreu arrestimin brenda në tunelin e Kalimashit, pak pasi Gjuta ishte futur në të.

Top Channel