Gjyqtarët: Mbështesim reformën. Kujdes me qëndrimet përgjithësuese

18/06/2015 00:00

Përmes një deklarate të Këshillit Ekzekutiv, Konferenca Gjyqësore Kombëtare mbështet reformën në drejtësi, të cilën e shesh si një domosdoshmëri të realitetit shqiptar.

“Kjo reformë duhet të çojë në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, mbrojtjen sa më mirë të interesave të qytetarëve dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për këto arsye, përfaqësues të gjyqësorit kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin pjesë në grupet e punës të ngritura për këtë qëllim”, thuhet në deklaratë.

Gjyqësori vlerësohet si një ndër hallkat më problematike të gjithë sistemit të drejtësisë, e për këtë objektiv, sipas Konferencës së Gjyqtarëve, duhet të jetë rritja e performancës përmes forcimit të pavarësisë dhe luftës ndaj korrupsionit.

“Këshilli është i vetëdijshëm se në radhët e gjyqësorit ka edhe gjyqtarë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. Por nga ana tjeter ai shprehet me vendosmëri se distancohet qartësisht dhe dënon me forcë  çdo shfaqje korruptive në sistemin e  drejtësisë”, vijon deklarata.

Këshilli thotë se “përcjell me shqetësim disa deklarata dhe qëndrime të ditëve të fundit, që u drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve”.

“Këto deklarata përkeqësojnë  imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme  të gjyqtarëve. Mendojmë se nuk është e drejtë që të identifikohet dhe të përgjithësohet puna dhe veprimtaria e trupës gjyqësore me akte të veçanta, të cilat nuk përfaqësojnë në asnjë rast figurën dhe punën e përditshme të gjyqtarëve. Statistikat më të thjeshta gjyqësore tregojnë qartësisht punën voluminoze, të përgjegjshme dhe serioze, e cila realizohet çdo ditë nga qindra gjyqtarë të sistemit gjyqësor”, thuhet në deklaratën e Këshillit Ekzekutiv.

Më tej u bëhet thirrje përfaqësueve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, medias dhe qytetarëve që të “tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje në shfaqjen e mendimeve dhe qëndrimeve denigruese, fyese dhe negative ndaj gjyqësorit”.

“Këshilli Ekzekutiv fton çdokënd të denoncojë me kurajo dhe me fakte, çdo gjyqtar i cili devijon nga rruga e ligjit dhe shpërdoron besimin dhe auteritetin e dhënë nga ligji për të administruar drejtësinë”, mbyllet deklarata e Këshillit Ekzekutiv të Konferencës Gjyqësore.

Top Channel