Familja e Jusit, në vështirësi ekstreme. Braktisin shkollën për të punuar

18/06/2015 00:00

Këta janë 3 djemtë më të mëdhenj të një familjeje, që banon në një fshat të Vlorës. Më i madhi prej tyre është 15 vjeç. Jusi e ka braktisur shkollën dy vite më parë, dhe hallet që mban mbi supe janë më të shumta se vitet e tij të jetës.

Ai punon bashkë me dy vëllezërit e tjerë, për t’i ardhur në ndihmë familjes 7-anëtarëshe. E ëma e tyre e vuan shumë këtë fakt.

“Punojnë që nga ora 5 e mëngjesit e deri në 6 të pasdites. Gjithë kohën e vapës janë andej, a duhet të shkojë një fëmijë 13 vjeç të punojë? Edhe 15 prap i vogël është, por nga halli”.

Fëmijët e saj nuk kanë fëmijëri, e kjo e mundon së tepërmi.

“Nuk kanë dhomat e tyre si gjithë fëmijët e tjerë. Kanë dallime nga veshja, nga të ngrënit… Mezi sigurojmë edhe thesin e miellit, edhe atë me të keq”.

Për të atin, braktisja e shkollës nga fëmija më i madh i familjes do të pasohej edhe nga dy të tjerët, më të vegjël.

“Jam veti i shtatë, pa punë, pa përkrahje sociale. Kam 3 fëmijë në shkollë, sepse njërin e mbajta për arsye ekonomike. Nuk e përballoj dot vetëm. Por siç ngeli ky sivjet, mot mund të mbeten pa shkollë edhe dy të tjerët”.

Ilva Vjero, punonjësja sociale e “Ëorld Vision”, thotë se për rastin u informua nga fëmijë të tjerë të zonës.

“Ishin pikërisht disa grupe fëmijësh që na referuan këtë rast, dhe sigurisht që ne e vizituam familjen për të parë gjendjen aktuale. Jemi duke e ndjekur këtë rast dhe dihet që ka vështirësi në të tilla raste, por shpresojmë të bëjmë diçka dhe fëmija të ndihmohet e të rikthehet në shkollë”, tha Ilva Vjero.

Jusi nuk është i vetmi. Ai është vetëm një nga fëmijët e shumtë, të burrëruar para kohe.

Top Channel