Studimi i OECD: Shqiptarët “vdesin” për parà

18/06/2015 00:00

Paratë janë gjëja më e rëndësishme në jetën e shqiptarëve. Të paktën ky është përfundimi i një studimi për indeksin e jetesës, të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për vitin 2015.

Njësoj si shqiptarët janë përgjigjur vetëm ukrainasit, duke vlerësuar paranë si gjënë kryesore. Ndërkohë, pjesa tjetër e Europës vë theksin te kënaqësitë e jetës, shëndeti, edukimi etj. Pjesëmarrësit që i janë përgjigjur pyetësorit janë grupmosha të reja.

Në Shqipëri kanë dhënë këto përgjigje, si kërkesat më të rëndësishme në jetë:

1. Të ardhurat – Në vendin e parë qëndrojnë paratë apo të ardhurat. Ndoshta për faktin se, shifrat e larta të papunësisë në mesin e të rinjve dhe varësia ekonomike nga familja, i shtyjnë ata të mendojnë vetëm për paratë.

2. Kënaqësitë e jetës – Në vend të dytë janë vlerësuar kënaqësitë e jetës. E kush nuk dëshiron të jetojë jetën në maksimum, me të gjitha kënaqësitë e mundshme.

3. Barazpesha mes punës dhe jetës – E treta është barazpesha mes punes dhe jetës. Duket se nuk ka dëshirë të madhe për karrierë, duke lënë pas dore aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë edhe familjen.

4. Puna – Kërkesa e katërt më e rëndësishme është puna. Tregu shqiptar ende nuk garanton një shifër të kënaqshme punësimi, për të rinjtë që diplomohen.

5. Shëndeti – I pesti, si aspekt kryesor i jetës së shqiptarëve është shëndeti. Ndoshta edhe pozicionimi kaq lart mund të jetë surprizë, pasi shumë herë thuhet se ne jemi të pakujdesshëm për shëndetin.

6. Arsimi – Shkolla është renditur e gjashta. Megjithëse universiteto-mania është shumë e përhapur ndër shqiptarët, sërish arsimimi renditet vetëm në vendin e gjashtë.

7. Strehimi – Në vendin e shtatë është strehimi. Çështjet e pronave dhe rëndësia e të pasurit një shtëpi, duket se janë ndër shqetësimet kryesore për shqiptarët.

8. Siguria – Siguria është renditur në vendin e tetë. Me sa duket, për personat e pyetur, ky aspekt është ende në pikëpyetje në Shqipëri.

Në tre vendet e fundit për nga rëndësia, shqiptarët kanë zgjedhur komunitetin, mjedisin dhe angazhimin social. Me sa duket, këto janë tre elementë me shumë pak vlerë për jetesën e tyre.

Top Channel