Paqëndrueshmëria e motit, një stres më vete

18/06/2015 00:00

Paqëndrueshmëria e motit është kthyer në një stres më vete, për të gjithë ne. E tashmë, duket se nuk po gjen më vend as shprehja, “dita e mirë duket që në mëngjes”.

Ky fillim vere po shoqërohet çdo ditë nga një mot lozonjar; ku dita nis e kthjellët, me diell dhe temperatura të larta, e disa orë më vonë gjithçka kthehet në shira e rrebeshe të paritura.

Bashkë me motin, i vrenjtur është herë pas here edhe humori i atyre, që duan të prenotojnë pushimet e verës, pasi paqëndrueshmëria e motit nuk i lejon ata të vendosin, se kur duhet t’i planifikojnë.

Por, kulmi i kësaj situate u arrit ditën e mërkurë, kur rrebeshe shiu të shoqëruara me përmbytje dhe me breshër, shkaktuan dëme të mëdha për banorët dhe fermerët.

Situata më e papritur ndodhi në Memaliaj, ku breshëri, me madhësi sa një top tenisi, jo vetëm që dëmtoi të mbjellat e fermerëve, automjetet apo shtëpitë, por u kthye edhe në një kërcënim për jetët e banorëve të zonës. Situata e krijuar nga breshëri krijoi edhe një kaos në qarkullimin e automjeteve në akset kryesore.

Edhe qyteti bregdetar i Durrësit nuk u shpëtoi pasojave të motit të keq, i cili shkaktoi një viktimë, si dhe përmbytjen e rrugëve e tokave bujqësore. Paraprakisht mësohet se, viktima ra në kontakt me rrymën elektrike, pasi teli përcjellës i energjisë ishte shkëputur nga shtylla dhe kishte rënë në ujë, si pasojë e motit të keq. Nga reshjet e dendura, qyteti turistik nuk iu shmang as bllokimit të qarkullimit në akset kryesore.

Në këto kushte, kur moti duket shumë lozonjar para parashikimeve, na duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë, duke marrë me vete… edhe syzet e diellit, edhe çadrën e shiut.

Top Channel