Ndalimi i Haradinajt, shënohen incidente ndaj bizneseve sllovene në Kosovë

18/06/2015 00:00

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Lubjanë të Sllovenisë ka nxitur reagimin e disa protestuesve, të cilët kanë hedhur fishekzjarre pranë objekteve të bizneseve sllovene në Prishtinë. Policia e Kosovës bëri të ditur se janë gjuajtur fishekzjarre pranë disa bizneseve, por ende nuk është hapur ndonjë çështje penale dhe nuk ka persona të dyshuar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila dënoi aktet e dhunës – siç thuhet, – ndaj pronës së kompanive afariste slllovene, duke i vlerësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e shoqërisë demokratike.

Në komunikatën e Jahjagës thuhet se “veprimet vandale të drejtuara ndaj pronës pengojnë zhvillimin demokratik të vendit, dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Kosovës, e pengojnë gjithashtu edhe bërjen e biznesit në vend. Marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera ndërtohen me mirëbesim. Veprimet e Kosovës do të jenë gjithnjë në mbështetje të akteve, normave dhe ligjeve ndërkombëtare”.

Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktet e fundit vandale, të drejtuara ndaj bizneseve sllovene në Kosovë. Qeveria fton qytetarët të tregojnë maturi dhe të përmbahen nga çdo akt i dhunshëm, duke i siguruar se çështja e zotit Haradinaj është duke u trajtuar në nivelin më të lartë shtetëror dhe, së shpejti pritet një zgjidhje e drejtë dhe e ligjshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet e rendit, që të trajtojnë në përputhje me ligjin aktet e fundit të manifestuara kundër bizneseve, si dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa ka mohuar që anëtarët apo simpatizantët e kësaj partie të jenë pjesë e provokimeve, në raport me – siç thuhet, – prezencën sllovene në Kosovë. Shprehja e pakënaqësisë, sipas AAK-së duhet të jetë në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme.

Ndërkohë, pasdite në rrjetin social të Facebook, grupimi i tifozëve të Prishtinës “Plisat” kanë hedhur dy video që pretendohen të jenë nga ngjarjet e fundit, bashkëngjitur edhe me një mesazh: “Ose lironi Ramush Haradinajn, ose çka ka të Sllovenisë do ta djegim”.

Top Channel