Votuesit fiktivë në Vorë, KQZ rrëzon edhe kërkesën e LSI-së

18/06/2015 00:00

Listat e zgjedhësve që u duk se ishin hequr nga problematika e këtyre zgjedhjeve, mesa duket ishin vetëm çështje kohe.

Pas denoncimit të PD për shtim fiktiv të votuesve në Durrës dhe Kavajë, edhe LSI kërkoi pranë KQZ-së çregjistrimin e rreth 600 votuesve në Vorë, të pretenduar nga kjo forcë politike si të regjistruar në mënyrë fiktive për të ndikuar në rezultatin elektoral.

Ashtu si në debatin e një dite më parë për Durrësin, KQZ nuk mori asnjë vendim edhe për këtë kërkesë, në kushtet e mungesës së kompetencës ligjore për të vepruar për një çështje që tashmë është në organet e drejtesisë.

“Nuk mund të marrim përsipër gjëra të tilla, sepse mund të konsiderohet edhe shpërdorim detyre, sepse mund t’ju heqim të drejtën e votës edhe atyre qytetarëve të cilët janë transferuar me dëshirë në Kavajë ose Vorë. Nuk e di çfarë mund të bëjë tani Komisioni”, është shprehur Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së.

“Ne jemi në fund të këtij procesi, prandaj kërkesa juaj është diçka e pamundur të realizohet”, ka plotësuar Lefterie Lleshi, kryetare e KQZ-së.

Por, nëse KQZ nuk ndërhyn dot me votë, edhe në raste kur dyshimet per regjistrimin fiktiv të zgjedhësve janë të arsyeshme, numri dy i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjeti rastin të shprehet moralisht.

“Unë do t’ju kërkoja personalisht këtyre njerëzve, të transferuar kundër vullnetit të tyre, të bëjnë një akt patriotik dhe të mos shkojnë të votojnë ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Biba.

Top Channel