Takimi i Eurogrupit mbyllet pa akord. Dijsselbloem: Greqia të kapë “mundësinë e fundit”

18/06/2015 00:00

Greqia e ka të domosdoshme të “shfrytëzojë mundësinë e fundit” për arritjen e një marrëveshjeje me huadhënësit ndërkombëtarë të saj. Ky është konkluzioni, me të cilin kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, ka dalë në një konferencë për shtyp, pas takimit të ministrave të Financave të BE-së, i cili përfundoi pa asnjë akord mbi borxhin e Greqisë.

Dijsselbloem i bëri thirrje Greqisë të paraqesë propozime “të besueshme” gjatë ditëve të ardhshme. Në mënyrë që të ndihmohet përballja e krizës, një samit emergjent i udhëheqësve të kombeve të Eurozonës është thirrur të mbahet sërish të hënën e ardhshme.

Dijsselbloem nënvizoi faktin se “ka mbetur shumë pak kohë”, pasi programi aktual i shpëtimit të Greqisë do të skadojë në fund të këtij muaji. “Ende është e mundshme që të arrihet një marrëveshje dhe të zgjatet programi aktual, përpara fundit të qershorit, por topi është qartësisht në anën e grekëve, ndaj dhe ata duhet të shfrytëzojnë mundësinë e fundit”, tha Dijsselbloem.

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis tha se kombi i tij ka paraqitur një propozim “gjithëpërfshirës” dhe se mosmarrëveshjet ekzistojnë vetëm mbi shpenzimet e barazvlefshme me 0,5% të PBB-së së Greqisë, gjë që sipas tij nuk përbën një “bllokim të rrezikshëm”.

Ai nënvizoi edhe faktin se Greqia ka bërë tashmë një “modifikim gjigant” gjatë kohëve të fundit, por refuzoi ndonjë masë të re, e cila do të rriste taksat dhe do të reduktonte edhe më tej përfitimet për popullin grek. Madje, ai paralajmëroi se negociatat po i afroheshin “rrezikshmërisht situatës së të pasurit një aksident”.

Greqia ka më pak se dy javë të mbetura për të arritur një marrëveshje me huadhënësit e saj, në të kundërt do të ballafaqohet me falimentin, për shkak të një pagese prej 1,6 miliard eurosh kundrejt FMN-së, që duhet ta paguante me këste gjatë këtij muaji, por që kanë premtuar se do t’i paguajnë njëherazi në fund të tij.

Nëse dështon të paguajë këtë detyrim, Athina rrezikon të dalë nga Eurozona, madje edhe nga BE-ja.

Ndërkohë, me mijëra demonstrues janë mbledhur përpara Parlamentit grek mbrëmjen e së enjtes, me thirrjet “Europë! Europë!”, duke shfaqur kështu haptazi dëshirën e tyre që Greqia të mbetet në Eurozonë. Sigurisht një thirrje e tillë mund të dëgjohet edhe nga qeveria e radikalëve të majtë, edhe pse këta të fundit erdhën në pushtet falë premtimeve për të mos marrë më masa shtrënguese ndaj popullit grek.

Top Channel