Top Story, kush i fiton zgjedhjet?

18/06/2015 00:00

Tashmë kur kanë mbetur vetëm 24 orë fushatë, tonet janë ashpërsuar dhe stratëgjitë e të gjitha palëve janë në pikën kritike: ku takimet, mitingjet reklamat, fletëpalosjet apo edhe “ofertat” e tjera, tashmë janë bërë, dhe ka mbetur vetëm ankthi për stafet dhe kandidatët: ku kanë gabuar? Çfarë kanë tepruar?

Sondazhet e të dyja palëve tregojnë të dhëna të kundërta: të majtet kanë besim se objektivi prej 45 bashkish do arrihet dhe mund të kalohet, kur të lënë të kuptosh se në Veri, veç konfirmimeve në Lezhë, Bulqizë, janë në rrugë të mbarë për Shkodrën, Kukësin dhe Peshkopinë. Por të djathtët thonë se veç këtyre, do të marrin mbrapsht edhe Burrelin dhe në Jug, do fitojnë në Berat, Gjirokastër e Pogradec, ndërsa nuk venë në dyshim Sarandën, Delvinën apo Konispolin.

Në qytetet e mëdha situata është pak më  ndryshe. PD nuk e dëgjon shumë të flasi për fitore në Korçë apo Elbasan, por te Durresi, tetë pikët para, sipas PS, të Dakos, përplasen fort me 14 pikët para të Dumas, sipas PD.

Tirana është histori më vete, si gjithmonë. Lënia vetëm e Kosovës nga Basha dhe përfshirja jo e zakontë e Ramës në spotin e Veliajt, nuk përputhen në logjikë as me atë që tregojnë sondazhet e pavarura, as me logjikën e thjeshtë të numrave, që i japin një avantazh kandidatit të majtë me mbi 50 mijë vota, pa llogaritur ato që mund të marrë nga PDIU, FRD dhe PDK. Tek te dyja kampet vihet re pa shumë mundim një ankth për të nxjerrë votuesit e tyre më 21 Qershor, për të hedhur votën në kuti.

21 Qershori do të jetë hera e parë që nga korriku 1992, që Lokalet zhvillohen në Verë, madje në solstic. A do të jenë të motivuar shqiptarët të dalin në masë të votojnë në ditën më të gjatë të vitit, në zgjedhje që nuk kanë teorikisht rëndësinë politike të zgjedhjeve të përgjithshme? PD thotë po. Basha në intervistë në “Top Story” i quajti këto zgjedhje parathënie të atyre të parakohshme, ndaj po premton ulje taksash, falje kamatash dhe ulje të çmimit të energjisë.

“PD, Lulzim Basha si kryetar i saj do t’i shkojnë deri në fund, deri në fitore pa kthim betejës për uljen e çmimit të energjisë, faljen e kamatëvonesave, uljen e çmimeve në tërësi, rritjen e rrogave dhe pensioneve”, deklaronte Basha.

Rama i përgjigjet në distancë se kjo është e pakuptimtë, siç edhe duhet të jetë.

“Me se do t’i ulë taksat ky në nivelin më të ulët në botë? Me internet explorer do t’i ulë?! Apo do t’ua sjellë sjellë nga internet explorer naftën më të lirë se dhallën në pikat e karburantit”, deklaronte nga Devolli kryeministri Rama.

Por kjo qeveri në dy vite ka marrë përsipër disa aksione antipopullore, dhe e ka aq seriozisht rikthimin e fokusit tek zbatimi i ligjit, sa arrestimet për fatura energjie të vjedhura apo të papaguara, si dhe prishje me tritol të ndërtimeve pa leje, kanë vazhduar edhe në ditët e fushatës. Por a do t’i japë kjo qeverisjes një faturë të lartë në këto zgjedhje, siç shpreson PD?

Në të gjitha demokracitë funksionale, zgjedhjet në mes të mandatit, siç janë kryesisht kudo Lokalet, i japin një shuplakë qeverisë, kryesisht nga votuesit e saj. Por jo domosdoshmërisht sjell fitore të opozitës në zgjedhjet e mëpasme politike, dhe këtë më shumë se kurrë e treguan zhvillimet në Britaninë e Madhe.

Shqipëria, që vlerësohet nga raportet ndërkombëtare ende si “demokraci hibride”, gjithsesi nuk ka bërë përjashtim nga ky trend. Tetori 1996 dhe qershor 2000 janë përjashtimet e vetme kur pushtetin lokal e fitoi partia që kishte pushtetin qendror, por duhet thënë se në lokale, vihej pas dy zgjedhjeve të përgjithshme aspak normale, siç ishin ato të 1996 dhe 1997. Ne çdo herë tjetër, në 1992, në 2003, 2007 dhe 2011, pushteti qendror në zgjedhje lokale ka marrë një goditje serioze nga votuesit në Lokale. Por a do të ndodhë sërish kështu në 21 Qershor?

Duhet thënë se zgjedhjet e 2013, pavarësisht se ishin të “zakonshme”, nuk ishin aspak normale. E para sepse e majta u bashkua, duke i dhënë një mbështetje matematikore Rilindjes së ofruar nga Rama, pas një mandati të dytë me ulje-ngritje të Berishës, me 21 Janarin, procesin e numërimit të votave në Tiranë, si dhe vendosjen e njerëzve të tij të afërt në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese, Presidencë dhe SHISH. Shtuar këtu edhe lidershipin ndryshe, ende në provë të Bashës, shtyjnë shumë analistë të besojnë se është ende tepër herët për të folur për një rikthim të PD në kuota që të rrezikojnë pushtetin e të majtëve.

Por aksionet me dorë të fortë të qeverise, plus një ekonomi që ende nuk jep sinjale të shëndetshme, përtej atyre që thotë Ahmetaj, përbëjnë një përrua potencial votash për opozitën, ose në rastin më të mirë një shkretëtirë votash abstenuese për mazhorancën.

Të gjitha këto krijojnë dilemën e fortë: 21 Qershori do të jetë si precedentët e mëparshëm elektoralë lokalë, kur qeveria merr një ‘dackë’ nga votuesit, apo një momentum i pastër i rikonfirmimit të mazhorancës qendrore. A do të zgjedhin shqiptarët mes një opozite që ka argumenta, por nuk bind në lojë dhe një qeverie që e votuan vërtet për vullnetin e rivendosjes së ligjit, por edhe për shpresën për të jetuar më mirë?

Një zgjedhje e vështirë për këdo, aq më tepër për një votues mesatar, të cilit i duhet të ndajë, jo pa mund, perspektivën e fëmijëve të tij, pa menduar shumë sesi të mbyllë muajin e llogarisë së parave të ekonomisë së familjes së vet. Ky duket se është testi i vërtetë i maturisë së zgjedhësve në 21 Qershor, një test që deri më sot, ata e kanë kaluar me sukses. Pavarësisht sesi ka qenë rezultati, votuesit shqiptarë nuk kanë zgjedhur asnjëherë gabim ata që i qeverisin, në nivel lokal dhe kombëtar.

Me këtë analizë nisi këtë të enjte Top Story me gazetarin Sokol Balla, kushtuar zgjedhjeve vendore të ditës së dielë, ku të ftuar në panel ishin analistët Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano, Alfred Lela, Arjan Vasjari, Skënder Minxhozi dhe Mark Marku.

I pari që mori fjalën ishte Mustafa Nano. “Do ishte mirë që opozita e Lulzim Bashës të gjente një afirmim, një konsensus tek shqiptarët, sepse edhe vetë demokratët do të hiqnin mendjen nga paraardhësi i Bashës dhe do i shërbente PD dhe Bashës vetë, për të ndërtuar një parti të stilit të vet. Në terma të elegancës dhe me publikun, është një gjë ndryshe nga paraardhësi, por unë kërkoj një ndryshim thelbësor”, tha ai.

Mark Marku u ndal tek sondazhet e realizuara deri më tani. “Sondazhet janë metoda të përafërta dhe ka situata të tilla politike, aq të padëshifrueshme, saqë sondazhet gabojnë shumë rëndë. Sondazhet janë një tregues i përafërt për atë që do ndodhë”, deklaroi ai.

“Unë këmbëngul tek dobia e një suksesi të PD të drejtuar nga Lulzim Basha, kjo do t’i bënte shumë mirë. Demokratët duhet të luten që të kenë sukses pikërisht tani”, u shpreh Nano.

Skënder Minxhozi shtoi: “E kam parë këtë fushatë si një ndër më të qetat, më korrektet, si njërën ndër më të papërdorurat. Më është dukur një fushatë më e qetë se sa ne e kemi pritur në fillimet e saj. nga 4 javët zyrtare të kësaj fushate, nuk kemi pasur fare mitingje, por kemi pasur ato që i quanim dëgje. Sondazhet janë një element ndihmës. Janë disa gjëra të thjeshta në këtë fushatë. E para opozita negocioi keq në hyrje, 37 parti janë në koalicionin e së majtës dhe 15 në koalicionin e së djathtës. Kjo besoj unë nga mungesa e lidershipit të Bashës, për të biseduar me disa persona që janë të djathtë dhe duhet të ishin djathtas”.

Alfred Lela komentoi zgjedhjen e Partisë Demokratike për të mos zgjeruar koalicionin e saj zgjedhor me parti që sot janë rreshtuar përballë saj dhe në krah të PS. “Basha ka dashur të shkojë me pastërti drejt pushtetit të mundshëm, sesa të mbledhë gjithë karrocat e zhurmshme rrugës. Është një zgjedhje morale, shtuar këtu edhe dekriminalizimin”, tha ai.

Vendimi i Bashës, për Arjan Vasjarin është tregues që Basha po krijon profilin e tij. “Nëse sot diskutojmë përse Basha nuk vijoi me filozofinë e Berishës për të zgjatur sa më shumë trenin e koalicionit, në një farë kuptimi përligj tezën që Basha është duke krijuar profilin e tij. Berisha ka qenë pragmatist, pragmatist shpesh edhe korruptiv. Basha zgjodhi të testojë sa vlen PD në bursën shqiptare”, tha Vasjari.

Shpëtim Nazarko tha se: “Këto zgjedhje do të konfirmojnë edhe 2011 edhe 2013, do të kemi një fitore me 20-25 pikë për partinë në qeverisje. Ajo që mendoj unë që ky avantazh do të njolloset nga abstenimi në masë. Ata që janë kundër qeverisë, do të ngrenë kartonin e abstenimit. Kjo opozitë është e mjerë, e mbaruar dhe nuk ka c’i duhet Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që pas 1990”, tha Nazarko.

Top Story rikthehet mbrëmjen e së premtes në orën 20:00 me mitingjet përmbyllëse të të dyja partive, ndërsa në orën 21:00 do të jetë i ftuar Kryeministri Edi Rama.

Top Channel